Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi është takuar sot me ambasadorin britanik në Shqipëri Alastair King-Smith, në fokus të të cilit ishin zgjedhjet e 14 majit.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Celibashi shkruan se me ambasadorin britanik kanë biseduar ndër të tjera për përgatitjet e procesit zgjedhor, verifikim e kandidatëve dhe transparencën e KQZ. Më tej ai ka falënderuar ambasadorin për ndihmën e vazhdueshme ndaj KQZ.
“Zgjedhjet Vendore #14MAJ2023 në Shqipëri nën vëmendjen e duhur nga Mbretëria e Bashkuar. Me Ambasadorin e British Embassy Tirana – SHTZ Alastair King-Smith patëm një bisedë mjaft konstruktive me fokus tek përgatitjet e procesit zgjedhor të ardhshëm dhe rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për vendin.
Bashkëbiseduam mbi përgjegjshmërinë dhe transparencën e KQZ Shqipëri, procesin e verifikimit të kandidatëve, shmangien e përfshirjes së burimeve shtetërore në zgjedhje, rolin e medias në procesin zgjedhor, mbrojtjen e administratës nga influencimi i votës, si edhe mbrojtjen e të dhënave të zgjedhësve.
I theksova Ambasadorit King-Smith vijimin e propozimeve të KQZ ndaj Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Gjithashtu e falënderova Ambasadorin Britanik dhe Qeverinë e tij për ndihmën e vazhdueshme ndaj KQZ dhe dedikimin e tij për rritjen e mbështetjes ndërkombëtare ndaj institucionit qendror të zgjedhjeve”, shkruan Celibashi.