Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në një takim të mbajtur me degën e PR për Tiranën foli për finalizimin e listës për këshilltarë nga kjo parti për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 Majit.
Mediu u shpreh se Partia Republikane do jetë pjesë e bashkëpunikmit të opozitës dhe do të mbështesë kandidatët për kryetar bashkie të saj. Më tej, kreu i PR, theksoi se partia e tij do të garojë me listën e vet të këshilltarëve në çdo bashki.
“Është domosdoshmëri të kuptojmë se këto zgjedhje janë mundësia për të hapur rrugën e ndryshimit politik për t’i rikthyer pushtetin shqiptarëve në 14 Maj, për ta shkëputur atë nga kontrolli i Partisë Socialiste dhe korrupsioni.
Situata në vend është shumë e rëndë, ekonomikisht dhe politikisht, nuk ka shtet nuk ka ligj nuk ka pushtet lokal, është vrarë besimi, kjo edhe për shkak të gabimeve që bëri opozita duke lënë parlamentin, e kështu i dhamë mundësinë Edi Ramës të ndryshonte kushtetutën dhe ligjin zgjedhor dhe të ndalojë kualicionet, po ashtu bojkoti i zgjedhjeve lokale ishte një veprim absurd duke i dhuruar pushetin socialistëve. Nisur nga këto gabime absolute duhet të reflektojmë, të lëmë mënjanë ndarjen dhe luftën, t’i përgjigjemi kërkesës dhe nevojës së shqiptarëve nga Konispoli në Vermosh për të dalë vetëm me një kandidat opozitar për kryetar bashkie dhe ta mbështesim të gjithë së bashku”, tha Mediu.