Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt ka zbuluar një tjetër emër që do të kandidojë në zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Bëhet fjalë për Eriselda Zotaj Çelaj që do të përfaqësojë demokratët në Fier.
Eriselda Zotaj Çelaj, është propozuar nga strukturat e PD dhe përzgjedhur nga kryesia për të garuar për bashkinë e Fierit. Çelaj ka lindur, dhe jeton në Fier në një familje demokrate, të nderuar dhe me tradita. Eriselda është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve.
Zotaj Çelaj, ka studiuar dhe është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, Departamenti Ekonomik, Dega “Kontabilitet-Finance, Titulli Kontabilist”. Ajo ka qenë e angazhuar në jetën publike në Fier, si në aspektin profesional, ashtu dhe atë politik.
Në politikë Eriselda është futur që në moshë të re duke qenë prej vitit 2003 pjesë e Forumit Rinor të PD dhe më pas si anëtare e Lidhjes Demokratike të Gruas, e deri më sot në pozicionin e Kryetares së Grupseksionit dhe Anëtare e Kryesisë së Degës. Gjatë angazhimit politik ka treguar përkushtim në çdo betejë politike dhe elektorale të Partisë Demokratike.
Sjellim në vëmendje se kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka prezantuar edhe kandidatin për zgjedhjet vendore 2023 për bashkinë e Kurbinit. Mjeku Genc Doçi do të kandidojë në garën elektorale të 14-majit për grupin e Alibeajt.