Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se kanë nisur hetimet nga SPAK dhe Prokuroria e Tiranës, për rastet e dyshimta në zgjedhjet e 25 prillit.
Përmes një postimi në “Twitter”, Celibashi tha se, në KQZ janë depozituar 10 kërkesa për informacion dhe 2 vendime për sekuestrime të materialeve zgjedhore nga SPAK dhe Prokuroria Tiranë, Gjirokastër, Pukë, Vlorë dhe Elbasan.
Postimi i plotë i Celibashit:
“Për zgjedhjet e #25prill2021 në KQZ janë depozituar 10 kërkesa për informacion & 2 vendime për sekuestrime të materialeve zgjedhore nga SPAK & Prokuroria Tiranë, Gjirokastër, Pukë, Vlorë & Elbasan. Pamje filmike të procesit të numërimit janë kërkuar & nga Policia e Tiranës.
Për zgjedhjet #25prill2021 kanë nisur hetimet për: Falsifikim të materialit zgjedhor & rezultateve të zgjedhjeve, pengimi i subjekteve zgjedhore, Votimi më shumë se një herë/pa u identifikuar….
Hetime edhe për: Shkeljen e fshehtësisë së votimit, Korrupsionin aktiv në zgjedhje, kanosje/dhunim të pjesëmarrësve në zgjedhje, marrje ose përdorim të paligjshëm i dokumenteve të identifikimit.
Pas mbylljes së procesit të shqyrtimit të ankimeve administrative për zgjedhjet #25prill2021, KQZ do të referojë në Prokurori të gjitha rastet e dyshimta të shkeljeve zgjedhore”.
/Priza.al/