Komisionerët e numërimit të votave në zgjedhjet e 25 prillit rezultojnë të kenë tjetërsuar votat duke ja hequr disa kandidatëve e duke ja shtuar dikujt tjetër.
Numëruesit e Shkodrës duket se e kanë mbajtur me hatër kandidatin demokrat Zef Hila pasi i kanë dhënë 104 vota më shume sesa e meritonte. Ndërsa janë kujdesur te shtojnë votat Zef Hilës, nga ana tjetër të parit te listës Helidon Bushati i kanë hequr padrejtësisht 35 vota. Në kampin rozë flamurin e votave të pamerituara e mban Eduard Shalsi me 80 me shumë, ndërsa më i penalizuari rezulton Fatmir Xhafa, të cilit i kane hequr 55 vota, të njëjtin fat ne listën e Tiranës rezulton te kete edhe Belinda Balluku që rezulton me minus 34 vota. Me kryetarët e partive numëruesit nuk kanë guxuar shumë.
Kryesocialistit Edi Rama i janë hequr padrejtësisht 11 vota, ndërsa kryedemokratit Lulzim Basha numëruesit janë munduar ti shtojnë 13 vota më shumë. Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka humbur gjatë numërimit 6 vota, ndërsa Jozefina Topalli 13. Sali Berisha nuk rezultoi te jete i preferuari i demokratëve ne garën për votat preferenciale, por mesa duket ai nuk ka qenë as i preferuari i komisionereve partiak, te cilët i kane hequr 21 vota. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve para gjashtë ditësh nisi hetimin e rezultatit te 25 Prillit.
Verifikimi i votave preferenciale pritet te prodhoje surpriza pasi për herë të parë në këto zgjedhje elektorati kishte te drejte që krahas partisë te votonte edhe per kandidatin e pëlqyer. Frika se mos mbesin jashtë Parlamentit ka bërë që kandidatët te bëjnë te pamundurën per te siguruar vota, qofte edhe padrejtësisht. Këto gjetje nga rinumërimi në komisionin qendror të zgjedhjeve nuk ndikojnë ligjërisht në rezultatin final të shpallur tashmë por do shërbejnë për të ngritur padi penale ndaj komisionerëve. Ndërkohë që paralelisht po zhvillohet edhe një hetim parlamentar për zgjedhjet dhe gjetjet e KQZ do t’i shërbejnë edhe deputetëve.
/Burimi: TCH/