Në një kohë kur kanë mbetur edhe shumë pak ditë nga 25 prillit, kompania CETIS që ka fituar tenderin ka bërë ne dije se nuk mund t’i bëjë gati fletët e votimit brenda 10 ditësh. Një gjë të tillë, kompania ia ka bërë të ditur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë letër, sqarohet se kanë hasur në disa vështirësi teknike, duke ngritur alarmin për atë se çfarë mund të ndodhë me zgjedhjet e 25 prillit.
“Të gjithë faktet që ne ju sjellim përmes kësaj letre tregojnë se fatkeqësisht suksesi dhe siguria në printim dhe dërgim të fletëve të votimit në harkun kohor të 10 ditëve, në periudhën 12-22 prill do të jetë një mision i pamundur”, shkruhet në letër.
Partitë Politike nuk kanë rënë dakord me modelin e zgjedhur. Partia Socialiste ka kërkuar që të jetë me numra, e ndërsa Partia Demokratike me emra, por në versionin vertikal dhe jo horizontal siç kryekomisioneri Ilirjan Celibashi e vendosi. Për këtë arsye, ajo ka përfunduar në Kolegjin Zgjedhor, i cili do të thotë fjalën e fundit.