Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli sot vendimet për 4 denoncimet për shkelje administrative të Kodit Zgjedhor në zgjedhjet e 6 marsit.
KQZ në seancën e sotme, shpalli vendimin për denoncimin e subjektit zgjedhor “Partia Demokratike”, ndaj bashkisë Rrogozhinë, për shkelje administrative në kuadër të fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie të datës 6 Mars 2022.
Komisioneri vendosi përfundimin e shqyrtimit administrativ të denoncimit ndaj kryetarit të bashkisë Rrogozhinë Edison Memolla dhe moskonstatimin e shkeljes së dispozitave të Kodit Zgjedhor.
KQZ mori vendim edhe për denoncimin e Organizatës “Qëndresa Qytetare” ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës Pirro Vengu, kryetares së bashkisë Durrës Emiriana Sako, drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësimit Klevis Hysa dhe rektorit të Univeristetit “Aleksandër Moisiu” Durrës Kseanela Sotirofski, për shkelje administrative në kuadër të fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie të datës 6 Mars 2022.
Komisioneri vendosi përfundimin e shqyrtimit administrativ të këtij denoncimi.
KQZ shqyrtoi edhe denoncimin e Organizatës “Qëndresa Qytetare” ndaj Eriselda Sefës, ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, drejtorit të Spitalit “Ihsan Çabeja”, Lushnjë Perin Vogli dhe bashkisë Lushnjë, për shkelje administrative në kuadër të fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie të datës 6 Mars 2022. Komisioneri vendosi pranimin e denoncimit të organizatës “Qëndresa Qytetare” ndaj Eriselda Sefës, kandidate për kryetar të bashkisë Lushnjë, Ogerta Manastirliut, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Perin Vogli drejtor i Spitalit “Ihsan Çabej”.
Gjithashtu, Komisioneri vendosi konstatimin e shkeljes nga ana e kandidatit për kryetar në bashkinë Lushnjë Eriselda Sefa, moskonstatimin e shkeljes nga Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, moskonstatimin e shkeljes nga Perin Vogli, drejtori i spitalit “Ihsan Çabej”, Lushnjë.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi t’i kërkojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, vendosjen e sanksionit administrativ.
KQZ shqyrtoi edhe denoncimin e Organizatës “Qëndresa Qytetare” ndaj bashkisë Shkodër, për shkelje administrative në kuadër të fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie të datës 6 Mars 2022. Komisioneri vendosi përfundimin e shqyrtimit administrativ të denoncimit ndaj bashkisë Shkodër dhe moskonstatimin e shkeljes së Kodit Zgjedhor.
Gjithashtu, në seancën e sotme u çel hetimi administrativ për shqyrtimin e denoncimeve të Organizatës “Qëndresa Qytetare” ndaj kandidatit për kryetar bashkie Rrogozhinë, Edison Memolla, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave Arben Ahmetaj, deputetit Etjen Xhafaj dhe Partisë Socialiste të Shqipërisë, si dhe denoncimit ndaj kryetarit të bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla, Drejtorisë Rajonale Arsimore Durrës, Zyrës Vendore Arsimore Rrogozhinë dhe Qendrës Kulturore “Haxhi Memolla” për shkelje administrative në kuadër të fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie të datës 6 Mars 2022. Shpallja e vendimmarrjes do të bëhet në seancën e radhës.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme vendosi plotësimin e vakancave në këshillat bashkiakë në Lushnjë, Pogradec, Këlcyrë, Korçë dhe Klos.
Këshilli i bashkisë Lushnjë u plotësua me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë, Vojsava Klement Bushi, Këshilli i bashkisë Pogradec, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Aleanca Demokratike Shqiptare, Amela Arben Mimini, Këshilli i bashkisë Këlcyrë, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Aleanca Demokratike Shqiptare, Jonida Kristo Toslluku, Këshilli i bashkisë Korçë, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Demokracia Sociale e Shqipërisë, Kristaq Jani Vasili, Këshilli i bashkisë Klos, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Bashkim Rexhep Dardha./ATA