Blendi Klosi, deputet i Partisë Socialiste tregoi modelin e ri të partisë së tij sa i përket fushatës elektorale.
“Në Shqipëri qartazi nuk jemi ende në momentin që një kandidat i pavarur të ketë sukses. Në Vlorë dhe Sarandë, për shembull, mbështesim dy kandidatë që nuk kanë qenë politikë. Kemi nevojë në të dyja këto qytete turistike të sjellim menaxherë që marketojnë mirë këto qytete. Kjo është filozofia e PS-së në të gjithë vendin. Mbështetja nga partia është gjithmonë e nevojshme në këtë aspekt”, tha Klosi.
Në lidhje me fushatën elektorale, Klosi deklaroi: “PS-ja do të reduktojë në maksimum kostot e kësaj fushate. Nuk do të ketë mitingje të mëdha dhe takime pompoze. Do të kemi model fushate shumë më të qetë, takime derë më derë dhe biseda me qytetarët”.
Kur u pyet mbi shqetësimet mbi përdorimin e administratës në zgjedhje, deputeti socialist theksoi: “Sot, administrata publike mbrohet me ligjin e shërbimit civil. Ka një vetëkontroll nga ata që janë brenda shërbimit civil që nuk duhet të jenë në fushatat tona gjatë orarit zyrtar. Pastaj, angazhimin e anëtarëve të administratës që janë mbështetës të PS-së jashtë orarit zyrtar, nuk e ndalon dot askush. E rëndësishme është që të mos përdoren mjetet e administratës publike. Duke qenë se ky është debat i vjetër në Shqipëri, ka bërë që të ketë disa ligje dhe rregullore. Të gjitha janë të shkruara në ligj tashmë. Realisht, nuk mendoj se është i nevojshëm përdorimi i aseteve në fushata pasi ka shumë pak ndikim”./A2Cnn