Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar ditën e sotme, zyrtarisht si parti politike në zgjedhjet vendore të 14 majit ‘Lëvizjen Bashkë’ me drejtues Arlind Qorin.
“Vendosim regjistrimin e Lëvizjes Bashkë në zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023” – tha kryekomisionieri Celibashi.
Më parë KQZ argumentonte se vendimi i Gjykatës së Tiranës për regjistrimin e ‘Lëvizjes Bashkë’ si subjekt nuk është i formës së prerë dhe nuk është pasqyruar në regjistrin e partive politike.
Sakaq, është refuzuar regjistrimi i koalicionit “Aleanca”. Ky koalicion përbëhej nga katër partitë opozitare, Aleanca Demokratike me kryetar Eduart Abazin, Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet me kryetar Gaqo Apostolin, Aleanca Barazi dhe Drejtësi Europiane me kryetar Valentino Mustakën si dhe partia për Europianizimin dhe Integrimin e Shqipërisë. KQZ mori këtë vendim për mosplotësim dokumentesh pas afatit.