Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një deklaratë për mediat ka folur edhe rreth mundësisë së regjistrimit në zgjedhje të kandidatëve të dalë nga primaret. Ai theksoi se askush nuk i ndalon ata të regjistrohen në zgjedhje dhe të udhëheqin qytetarët. Meta tha se ata kanë një marrëveshje historike me Partinë Demokratike sa i takon edhe garës për këshillat bashkiakë.
Pjesë nga fjala e Metës: “Kandidatët nuk janë të Sali Berishës, janë të primareve një proces historiku që ka ndodhur në Shqipëri për herë të parë. I Aplikuar me shumë guxim dhe kurajo në një shtet që udhëhiqet nga një klikë mafioze.
Pra procesi i primareve ku morën pjesë me dhjetëra mijëra demokratë në të gjithë vendin ka nxjerrë super kandidatë që nuk i takojnë më Sali Berishës dhe demokratëve por të gjithë qytetarëve që kërkojnë ndryshim. Nuk ka mekanizëm dhe hile që i ndalon superkandidatët të triumfojmë në 14 Maj. Këtë proces e udhëheqin qytetarët.
Tani janë superkandidatët që na udhëheqin ne. Kudo. Unë kudo ku shkoj entuziazmohen nga përzgjedhja që kanë dalë nga primaret. Janë emra të jashtëzakonshëm, emra të mrekullueshëm. Kemi një marrëveshje historike me PD sa i takon edhe çështjes së Këshillave dhe shndërrimit të tyre në tribuna për qytetarët. Dhe të jeni të sigurt që ky bashkëpunim do të funksionojë në mënyrë të mrekullueshme”