Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet zhvilloi ditën e sotme një takim elektoral me mbështetësit e saj në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Ndalesa këtë të enjte ishte në Tiranë ku bashkë me kështilltarët në listën e bashkisë së kryeqytetit, kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi bëri thirrje që poltikës t’i shtohet jo vetëm vendimmarrja e të rinjve, por edhe përgjegjësia për llogaridhënie.
Idrizi: I jemi larguar demokracisë direkte. Qytetari dëgjohet vetëm një herë në katër vjet.
“Kryetarët e bashkive dhe këshilltarët duhet t’u jenë mirënjohës atyre që i votojnë. Edhe atyre që nuk i votojnë, i detyrohen. Ne kemi vendosur të bëjmë një kontratë morale që të na përfaqësojnë denjësisht për atë që përfaqëson PDIU-ja por dhe të jenë në mbështetje të qytetarit. Ne kemi furnizuar edhe partitë e mëdha me këshilltarë, por në fund fare e kemi parë se i përdorin për numra, jo si PDIU. Ky nuk është rasti ynë, për ne ju nuk jeni numra, jeni histori personale e familjare. Prandaj të gjithë ne përbëjmë atë që quhet ADN-ja e PDIU-së. Sot shohim shumë debate që akoma nuk na tregojnë kush është ai kandidat që ka një vizion për qytetin. Njëri thotë që trafiku është i rënduar, tjetri thotë bëjmë tunel. Ne kemi nevojë për ata që kanë një koncept për qytetin dhe zhvillimin”, u shpreh Idrizi.
Kreu i PDIU-së bëri thirrje edhe për referendumet duke e theksuar se shoqëria shqiptare është larguar nga demokracia direkte.
“Rasti i prishjes së teatrit mund të ishte një rast që mund të zgjdhej me referendum, të pyesim qytetarët e Tiranës a duan ta prishin apo jo?! Problemet janë të përditshme. Ne kemi problem shumë të madh me demokracinë. I jemi larguar demokracisë direkte. Sepse votojmë vetëm një herë në katër vjet, por ndërkohë që problemet janë të përditshme. Dhe kemi nevojë të dëgjojmë zërin e qytetarëve më shpesh se çdo katër vjet”.
Ndërsa sekretarja e përgjithshme e PDIU-së Mesila Doda vuri theksin në gjuhën e ashpër politike që po përdoret në këtë fushatë elektorale.
“Të flasësh për çështje të mëdha si atdheu, çështja kombëtare, rritja e të rinjve në politkë duken si gjëra shumë larg asaj që ndodh sot në skenën politike. Shikojmë që ka një gjuhë tejet joetike. Debati është i fokusuar në gjëra shumë sipërfaqësore. E megjithatë atë vazhdoj të mendoj, se ne duhet këmbëngulim të ruajmë një standard që e kemi krijuar tashmë. Dhe më shkon mendja vetëm te shprehja e Michel Obama-s që thoshte: Sa më poshtë të shkojnë ata, aq më lart ngjitemi ne!”.
Kryetari i degës së Tiranës për PDIU-në Galip Taho në fjalën e tij shumë i emocionuar i ftoi të gjithë të votojnë numrin 12, për të gjithë ata patriotë që punojnë me misionin “Veç një atdhe”.