Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” në Bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi, ka pranuar humbjen ndaj rivalit të tij, mirëpo reagoi ashpër ndaj rezultatit të zgjedhjeve. Ai deklaroi se votat janë manipuluar nga deputeti socialist, Bardhyl Kollçaku por nuk ngurroi të akuzonte edhe Policinë e Shtetit, duke e bërë bashkëfajtore në këtë rezultat.
Maliqi shtoi se ai ka vënë në dijeni për të gjitha këto shkelje edhe OSBE/ODIHR-in, ndërsa tha se do t’i shkojë deri në fund kësaj, duke mos u dorëzuar deri në daljen e rezultatit real.
Kujtojmë se, diferenca e votave mes Maliqit dhe kandidatit socialist është pak më shumë se 200 vota.
“Unë kam fituar moralisht. Blenë vota me lekë, oligarkët. Oligarku Salillari sollën lekë me thasë. Banda, kriminelë çfarë nuk bënë.
Kam fituar moralisht, Zoti është i madh. I blenë votat të gjithë me radhë, oligarkët, në orën 12:00 fiknin dritat. Unë banorëve të Kuçovës u jam mirënjohës, sepse hera e parë që thyej këtë bastion të majtë.
Kam besim që nuk largohem nga beteja derisa të largoj të korruptuarit dhe të këpus falangat e krimit”, tha ai.