Sikundër është raportuar gjatë ditës së sotme, në disa qendra votimi në Elbasan janë shënuar disa probleme.
Kështu policia bën me dije se:
-Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2422/1, në Mengel, Elbasan, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi vëzhguesit ishin paraqitur pa beixh për procesin zgjedhor dhe pa dokument identifikimi.
Punonjësit e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë ndërhyrë në Qendrën e Votimit dhe pas verifikimit të situatës, vëzhguesit që nuk kishin mjete identifikimi janë zëvendësuar me vëzhgues të tjerë.
Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas rifillimit të procesit të votimit, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.
-Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2930/01, në Bradashesh, Elbasan, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, për të larguar nga Qendra e Votimit, shtetasin E. Ll., pasi dyshohej se po ndikonte tek votuesit.
Shërbimet e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pas verifikimit ka rezultuar se shtetasi E. Ll. kishte ndihmuar fqinjin e tij për të votuar, por nuk kishte ndikuar në zgjedhjen e tij.
Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas verifikimit të rastit, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.
-Komisioni i Qëndrës së Votimit nr. 2373, në lagjen “Partizani”, ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi njëri nga vëzhguesit e Qendrës së Votimit kishte debatuar me operatoren e kësaj Qendre.
Shërbimet e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pasi kanë sqaruar situatën, janë larguar nga Qendra e Votimit, po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit.
Për të tria rastet është vënë në dijeni edhe prokurorit i gatshëm.