Zgjedhjet lokale, Veliaj: Fushatën e kam marrë seriozisht, kandidatët nuk i cilësoj armiq

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka folur për rikandidimin e tij për kreun e bashkisë së kryeqytetit në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm. Ai tha se çdo ditë kryheshin punime të reja në kryeqytet në të njëjtin ritëm duke mos u ndikuar nëse partitë ishin në fushatë elektorale apo jo.

Veliaj tha se kushdo që kandidonte për kreun e bashkisë më të madhe në vend, nuk ishte armiku i tij. Sa i përket punës së bërë në Tiranë, Veliaj mori shembullin e shkollës “Sami Frashëri” për të cilën tha se pavarësisht dëmtimeve të tërmetit, sot ishte një ndër shkollat më të mira në Europën Juglindore.

“Kjo është një punë e përditshme. Është si ajo autokombajna që gjithnjë është duke korrur grurë dhe unë besoj që për këtë jemi këtu. Jo për të punuar vetëm kur vjen fushata, për të punuar përditë. Përditshmëria, në këto kohë ka qenë kryesisht fokusi tek shkollat, kopshtet çerdhet e konviktet. Unë besoj se në qoftë se në vazhdojmë me këtë ritëm, pra ne nuk ndryshojmë nëse ka fushatë apo jo, sigurisht që ka gjëra që mund të bëhen më mirë, ndaj edhe unë pres që kjo të mos jetë një fushatë me sharje, me shpifje, me ato goditjet nën brez, por të jetë një fushatë civilizuese, ku njerëzit thonë cilat janë idetë për ta çuar qytetin më përpara. Kushdo që kandidon nga disa fraksione të opozitës nuk është armiku im. Përkundrazi është një kontribuues gjithashtu, se si ne mund ta bëjmë më mirë këtë punë.

Unë fushatën e kam marrë seriozisht edhe në vitin 2019, kur nuk kishim një kandidat zyrtar të opozitës. Ishte vetëm një nga partitë e vogla të opozitës që u përfshinë, sepse unë besoj që fushata merret seriozisht jo për kundërshtarët por për njerëzit që thonë: Të kam vënë aty, që të bësh maksimumin, me sa ke fuqi dhe sa ke mundësi, sigurisht duke parë edhe rrethanat, që ishte Covid, tërmeti, por jo si justifikim, por si një mundësi.

Çdo fatkeqësi është edhe një mundësi. Ishte fatkeqësi që ra tërmeti për shkollën “Sami Frashëri” por ishte një mundësi që sot është shkolla më bukur në Republikën e Shqipërisë, ndoshta në gjithë Evropën Juglindore. Sot Samiu është hotel me pesë yje. Fushata e përditshme është ajo që na nderon të gjithëve. Është si të thuash:Ju si televizion, punoni vetëm kur ka fushatë? Jo, ju përditë jeni në një përpjekje për të transmetuar, thënë të vërtetën, për të dhënë të dy anët e medaljes dhe unë besoj se kështu duhet të funksionojmë si shoqëri. Njerëz që punojnë, përveshin mëngët përditë dhe jo vetëm kur vjen vakti i fushatës, që me siguri do jetë prill-maj, siç është edhe kalendari kushtetues”– u shpreh Veliaj./fax

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *