Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Minushe Lazaj, ka reaguar duke i quajtur të pavërteta akuzat e bëra nga znj. Evi Kokalari, se ajo ka lobuar për zgjedhjen e Belind Këlliçit si anëtar i kryesisë së PD-së, duke dalë kandidatura më e votuar.
Gjatë një reagimi në rrjetet sociale, znj. Lazaj ka theksuar se ajo ka punuar dhe mbështetur PD-në dhe jo individë të caktuar.
Zonja Minushe Lazaj është shprehur se “kam një kontribut dhe një gamë shumë të gjerë njërëzish më të cilët kam punuar dhe jo e mbështetur te një individ i caktuar, çka më jep mua të drejtën dhe lirinë për të mbështetur vet dhe përmes njohjeve të mia, ata të cilët unë gjykoj se meritojnë mbështetjen time, dhe nuk është një”.
Më tej ajo sqaron se “kam punuar mbi të gjitha dhe gjithkënd për Partinë Demokratike, duke e vlerësuar si angazhim publik për vendin tim dhe nuk jam bërë kurrë pjesë klanesh e aq më pak intrigash okulte, fenomene rëndom në organizata partiake”.
Duke i quajtur shpifje deklaratat në adresë të saj, anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Minushe Lazaj, ka ftuar zonjën Kokalari që t’i verifikojë ato.
“Ftoj Evi Kokalarin dhe këdo të interesuar për të vërtetën e Minushes, të verifikojë gjithë sa më sipër mbi kontributin dhe pozicionet e mia një për një, çdo datë e çdo angazhim apo detyrë. Mund të kem anashkaluar diçka se i thonë 16 vite, por deformuar asgjë”, u shpreh ajo.
Zonja Lazaj thekson se kush nuk e dëgjon apo suporton dot të vërtetën, le të qorrohet mes intrigës.
“Nuk i kam borxh askujt në PD, gjithë sa kam arritur në punën dhe profesionalizmit tim. Një gabim nuk bëhet i vërtetë, sepse ai është i përhapur, as e vërteta bëhet e gabuar kur nuk e shikon asnjë”, theksoi zonja Lazaj.
Në reagimin e saj Minushe Lazaj ka bërë publike CV-në e saj politike dhe angazhimin ndër vite në Partinë Demokratike, duke filluar nga një vullnetare e thjeshtë dhe më pas e atashuar si bashkëpunëtore pranë drejtuesve të partisë./ CNA.al