Në vitin 2007, në ish-komunën Bushat, kandidati i pavarur Zef Hila fitoi zgjedhjet me 98% të votave, duke lënë dy partitë e mëdha, PD dhe PS, me më pak se 2% të votave bashkë.
Hila rifitoi zgjedhjet e vitit 2011 për komunën Bushat dhe mposhti koalicionin PS+LSI në zgjedhjet e vitit 2015, kur Komuna Bushat u bë pjesë e bashkisë Vau i Dejës. Hila u tërhoq nga gara bashkë me opozitën në zgjedhjet e vitit 2019, kur kandidati socialist Mark Babani fitoi pa garë.
Në zgjedhjet e vitti 2021, Hila u zgjodh deputet për Partinë Demokratike dhe mori gati 6 mijë vota preferenciale. Në zgjedhjet e 14 majit 2023, Zef Hila do të garojë në favor të koalicionit “Bashkë Fitojmë” , pasi hoqi dorë nga mandati i deputetit për t’u rikthyer në postin e kryebashkiakut. Kësaj here ai garon përballë Kristjan Shkrelit, një zyrtar socialist nga Bushati, i cili ka punuar si punonjës shteti në agjencinë e kadastrave dhe në zyrën e legalizimit për zonën e Shkodrës.
Partia Socialdemokrate aktualisht e drejtuar nga Tom Doshi funksionoi si një makineri elektorale në zgjedhjet e vitit 2021, duke fituar dy mandate deputetësh në Shkodër dhe një në Tiranë dhe duke shpallur mbështetjen e palëkundur për Partinë Socialiste të Edi Ramës menjëherë pas zgjedhjeve. Në garën elektorale të 14 majit, duket se kandidati socialist Kristjan Shkreli ka siguruar edhe mbështetjen e PSD-së së Tom Doshit, pasi është shfaqur në disa takime elektorale përkrah këtij të fundit.
Bashkia e Vaut të Dejës shtrihet përgjatë luginës së poshtme të lumit Drin dhe është një zonë fushore shumë pjellore me bujqësi të zhvilluar. Bujqësia është e përqendruar te prodhimi i zarzavateve për tregun vendës dhe për eksport.
Qyteti i Vaut të Dejës u ndërtua si pjesë e projektit të hidrocentralit me të njëjtin emër mbi lumin Drin, një nga hidrocentralet më të mëdhenj të vendit. Bashkia përbëhet nga qyteti i Vaut të Dejës dhe ish-komunat Bushat, Vig-Mnele, Hajmel, Temal dhe Shllak. Bushati është njësia administrative me më shumë popullsi ndërsa bashkia përfshin edhe ish-komunat Temal dhe Shllak, të cilat gjenden në anën tjetër të Liqenit të Vaut të Dejës dhe të Liqenit të Komanit.
Përveç bujqësisë dhe industrisë elektro-energjetike, zona ka potencial për zhvillimin e turizmit të natyrës. Administrata e bashkisë ka aktualisht rreth 300 të punësuar./reporter.al/