350 milionë qytetarë të BE-së do të mund të votojnë drejtpërdrejt për parlamentin e tyre nga e enjtja deri të dielën këtë javë. Skeptikët e BE dhe nacionalistët mund të forcohen.
Roberta Metsola, Presidentja demokristiane e Parlamentit Evropian nga Malta, vizitoi të 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian muajt e fundit me sloganin “Përdorni zërin tuaj”. Në diskutime të shumta në bashki, universitete dhe shkolla, ajo u përpoq të interesonte veçanërisht votuesit e rinj për zgjedhjet evropiane, të cilat mbahen çdo pesë vjet. “Fotografia që shihni në mendjen tuaj të Parlamentit Evropian janë këto mbi 700 ulëse blu. Këto vende do të caktohen pavarësisht nëse votoni apo jo. Por tani ju keni një zgjedhje, mund të bëni ndryshimin, mund të ndikoni se kush do të ulet në bankat parlamentare”, u tha Roberta Metsola të rinjve në Danimarkë.
Por nxjerrja në vendvotime e 350 milionë votuesve me të drejtë vote në Bashkimin Evropian në zgjedhjet e dyta më të mëdha demokratike në botë, pas Indisë, nuk është aq e lehtë. Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e fundit, në vitin 2019 ishte vetëm rreth 50 për qind. Në sondazhin e pranverës të opinionit publik, BE-ja zbuloi se këtë herë interesi për zgjedhjet ishte rreth 60 për qind. Prandaj, pjesëmarrja në votime mund të rritet. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për këto zgjedhje, të cilat shumë kampe politike i kanë shpallur “zgjedhje fati” apo “zgjedhje drejtimi”. Sepse, statistikisht, rezulton se mesi i spektrit politik zakonisht përfiton nga pjesëmarrja e lartë