Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Durrësit, Igli Cara ka listuar problematikat me të cilat përballet sot qyteti i Durrësit.
Ai u shpreh se këto janë zgjedhje lokale, ndaj duhet të ishte fokusuar me tëper të kandidatët, por Rama tha ai po tenton ti kthejë politike.
“Zgjedhjet lokale po tentojnë ti kthejnë politike pasi Rama e ka mbushur Durrësin me postera kudo dhe ne nuk kemi asnjë mundësi të vendosim një poster. Ai mundohet ta bëjë fushatën politike ku në fakt do të duhej të ishte një debat administrativ mes kandidatëve”, tha Cara në një intervistë për Syri TV.
Cara është shprehur se në Durrës, një problem mjaft i madh është parkingu. Sipas Carës, Durrësi një qytet turistik, nuk ka një parking nëntokësor, publik.
Cara: “Durrësi është i vetmi vend në botë, ku me 300 mijë banorë nuk ke një parking nëntokësor, ose një parking të dedikuar në zonën e plazhit, përveç parkimeve private. Është detyrim i bashkisë të sigurojë parkingje. Në plazh mund të ishin bërë shumë me 2-3 mijë poste parkimi.
Kam folur me specialistë se si të krijojmë mundësi që të gjejmë vende ku të kemi parkingje nëntokësore dhe të mundshme. Për banorët e zonës duhet të theksoj se do të jetë gjithmonë pa pagesë, nuk ka pse të paguajnë, ndërsa për turistët si kudo në botë, do të ketë një tarifë se unë nuk di ndonjë vend turistik të botës ku parkingu të jetë pa pagesë.
Kjo do të krijonte jo vetëm lehtësim të trafikut, por do të krijonte edhe të ardhura për bashkinë. Siç duhet të japë shërbimin bashkia, duhet edhe të krijojë të ardhura për të mbuluar këto shpenzime. Nuk mjafton vetëm të japësh me një dorë, por edhe të marrësh më dorën tjetër.
Kjo sot nuk ekziston, nuk kemi kërkund një parking që të krijojë të ardhura për bashkinë.”