Sot Turqia është në heshtje zgjedhore. Pas një fushatë intensive udhëheqësit politikë mbyllën tubimet dhe fushatën e tyre përpara zgjedhjeve presidenciale dhe ato te përgjithshme që do të mbahen këtë të diel.
Zgjedhjet e nesërme në Turqi mund të vendosin të ardhmen politike të presidentit Rexhep Tajip Erdogan –dekadat e të cilit në pushtet kanë riformuar politikën e Turqisë dhe rolin e saj në çështjet globale.
Gjatë fushatave presidenti turk ka insistuar se e ka mbajtur Turqinë në këmbë pavarësisht shumë sfidave, duke përfshirë ekonominë me inflacionin e saj të shfrenuar dhe tërmetet katastrofike të dyfishtë të shkurtit.
Gara parashikohet të jetë e fortë, pasi Erdogan është vendosur kundër një opozite që është bashkuar. Rivali i tij kryesor, Kemal Kilicdaroglu. Në moshën 74-vjeçare, lideri i opozitës përshkruhet shpesh si një njëri i butë, që zotohet se do rivendosë demokracinë në vend.
Kilicdaroglu është pak përpara në sondazhet e opinionit dhe mbështetësit e tij kanë guxuar të besojnë se ai mund të fitojë plotësisht të dielën, me më shumë se 50% të votave, në vend që të përballet me një balotazh dy javë më vonë.
Analistët shpesh herë kanë shprehur se në këto zgjedhje çdo votë do të jetë e vlefshme për të caktuar udhëheqësin e ri.
Erdogan është lideri që ka dominuar politikën turke për 20 vjet.
Më shumë se 64 milionë njerëz pritet të votojnë brenda dhe jashtë vendit. Për të fituar plotësisht një kandidat duhet të sigurojë më shumë se gjysmën e votave.
Nëse asnjë kandidat nuk merr të paktën 50% plus një votë në raundin e parë, zgjedhjet presidenciale do të shkojnë në një raund të dytë më 28 maj midis dy atyre që kanë marrë më shumë vota. Për zgjedhjet e përgjithshme do të garojnë 24 parti dhe 151 kandidatë të pavarur për deputetë.
Ndërkohë nesër do të ndalohet shitja e pijeve alkoolike. Vendet e argëtimit do të qëndrojnë të mbyllura gjatë votimit teksa në restorante do të shërbehen vetëm ushqimet.