Zgjedhjet/ Presidenti Meta mesazh shqiptarëve: Jam i lumtur që ia arrita që 25 Prilli të ishte ditë e qetë

Presidenti Ilir Meta i është drejtuar me një mesazh sot të gjithë shqiptarëve. Ai ka deklaruar se është shumë e rëndësishme që ky proces të mbyllet qetësisht dhe që çdo votë, nga Vermoshi në Konispol të numërohet dhe administrohet sipas ligjit.

Kreu i shtetit tha se ndjehej i lumtur që ia kishte dalë i vetëm që zgjedhjet të zhvilloheshin të qeta, ndërsa shtoi se duhet të numërohet me kujdesin më të madh çdo votë e hedhur nga qytetarët.

Presidenti u shpreh se 25 Prilli mund t’i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit, ndërsa kërkoi qetësi derisa të krijohen institucioner e reja në vend.

Mesazhi i presidentit Meta:

Të dashur qytetarë të Republikës,

Më 25 Prill, ju e shprehët me votë vullnetin për të zgjedhur përfaqësuesit tuaj në Kuvendin e Shqipërisë. Në këto momente është tepër e rëndësishme, që ky proces të përmbyllet qetësisht dhe që çdo votë, nga Vermoshi në Konispol, të numërohet dhe të administrohet sipas ligjit.

Deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar, partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre duhet të dëshmojnë maturi dhe qetësi. Sfida ime madhore, sidomos këto dy vitet e fundit, ka qenë që Sovrani të shprehë i lirë vullnetin e tij dhe që Shqipëria të rikthehet në shinat e Kushtetutës, të parlamentarizmit dhe në normalitet politik.

Edhe pse i vetëm përballë të gjithë institucioneve të kapura, ja arrita, që 25 Prilli të ishte një ditë e qetë, paqësore, pa skena dhune dhe me pjesëmarrjen tuaj masive për të ushtruar të drejtën e votës.

Ndonëse dukej një sfidë e pamundur jam i lumtur, që 25 Prilli mund t’i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit. Tani është koha për të përmbyllur me qetësi dhe në respekt të ligjit procesin zgjedhor dhe më pas të gjithë të reflektojnë deri në shtator, kur krijohen institucionet e reja, që burojnë nga vota e 25 Prillit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *