Ndërsa procesi i votimit në 4 komunat në veri të Kosovës vijon, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se deri në ora 13:00 në zgjedhje kanë dalë vetëm disa serbë.
“Sot po mbahen zgjedhjet në veri të Mitrovicës. Synojnë të vendosin në pushtet ata që nuk mund të marrin një apo dy vota, që nuk jetojnë në veri. Mund t’ju them se deri më tani kanë dalë vetëm disa serbë, nuk e kam tepruar, janë disa serbë në të katër komunat”, tha Vuçiç.
Ai theksoi se serbët nuk duan dikë tjetër dhe t’i shërbejnë interesave të tyre, por që serbët duan t’i shërbejnë interesave të tyre dhe duan paqe me të gjithë.
Qytetarët në katër komunat veriore Mitrovicë e veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan, janë duke votuar sot për kryetarin e ri të komunës. Të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 votues. KQZ ka njoftuar se nga 44 qendra votimi gjithsej, vetëm 6 prej tyre do të shërbejnë për të njëjtin qëllim, ndërsa 13 të tjera do të hapen në kontejnerë, si qendra alternative.