Teksa zgjedhjet lokale po afrojnë, duket se Partia Demokratike vijon të jetë e përçarë në dy krah dhe palët duket se nuk kanë ndërmend të bashkohen. Një pjesë e mirë e deputetëve, po presin vendimin e Gjykatës së Apelit në lidhje me statutin e PD-së, për të marrë një vendim nëse do ti bashkohen Sali Berishës. Gjë të cilën e kanë lënë të nënkuptohen edhe ditën e djeshme deputetët Dashnor Sula dhe Saimir Korreshi.
Por duket se as propozimi për zgjedhjen e kandidatët përmes konkurrimit brenda partisë, nuk e ka bindur grupimin e Enkeled Alibeajt, të cilët kanë kërkuar kandidatë mbi palët.
Nga ana tjetër përmes nënkryetarit Luçiano Boçi, e drejtuar nga Berisha i ka bërë bën thirrje grupimit ‘Alibeaj’ t’i bashkohet bazës demokrate në procesin e primareve, dhe të jenë anëtarët e PD-së që të zgjedhin kandidatët për kryetarët.
Boçi në një intervistë për Priza.al, theksoi nuk ka grupim të Alibeajt, por ka deputetë me diferenca mendimesh. Gjithashtu ai ka nënvizuar primaret i heqin mundësinë që të marrë kompetenca extra statusore.
“Nuk mendoj që ka një grup. Ka deputetë me diferenca mendimesh dhe mënyra e bashkimit kalon nëpërmjet respektimit të vullnetit të bazes dhe vendimeve te Kuvendit te 11 Dhjetorit te thirrur nga anëtarësia”, tha Boçi.
Ndërsa sa i përket ftesës së kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta, për daljen në zgjedhje me një kandidat të përbashkët, Boçi tha se PD-ja është e hapur për bashkëpunimin me të gjitha forcat opozitare. Por nuk nuk ka saktësuar nëse do të kenë një kandidat të përbashkët mes PD-së dhe PL-së.
Ndërsa sa i përket kandidatëve mbi palët, Boçi u shpreh se kjo do të vendoset nga negociatat. Për sa i përket bazës, ai tha se ndryshe nga deputetët, ajo është e bashkuar.
Intervista e plotë:
Ka hapësira për të gjetur kandidatët e palëve apo mbi palët?
Miratimi i primareve si proces për të nxjerrë kandidatët për kryetar Bashkie, krijon hapësirën e nevojshme politike për të gjetur kandidatin e palëve ose mbi palët, nëse i quajmë për hir te pyetjes “pale”. E them këtë sepse nuk ka pale por ka deputete qe mendojnë ndryshe dhe i shohin zhvillimet brenda PD ndryshe nga anëtari i thjeshte.
Primaret nuk konsiderojnë palët, por konsiderojnë votën e anëtarit të thjeshtë. Tashmë është ai që vendos. Është kjo votë unifikuese dhe jo parapëlqimet subjektive te përfaqësuesve politikë, shtrati ku krijohet e realizohet bashkëpunimi.
Primaret heqin çdo mundësi që dikush te flasë e të marrë kompetenca ekstra statutore.
Si e shihni ftesën e Ilir Metës për të dal me një kandidatë?
Është akti qe konkretizon një marrëveshje zgjedhore serioze e cila përmban në vetvete qellimesinë e fortë për sukses.
Ndjame të njëjtin mendim me PL dhe jemi të hapur për çdo bashkëpunim me të gjitha forcat e spektrit opozitar.
Është mese i realizueshëm dhe bindes ne suksesin e tij
Mendoni si strategji mbledhjen e shtabeve të përbashkëta dhe më pas propozimin e kandidateve mbi palët?
Kjo do të përcaktohet ne negociatat qe po bëhen. Tashmë ne si themel kemi vendosur primaret të cilat do krijojnë mundësinë e përftimit te kandidateve më të mirë.
Ne këto kushte qe është PD sot si do te arrihet bashkimi i bazës?
Baza vete në shumicën e saj ndjehet e bashkuar dhe nuk kontaminohet nga loja e interesave të individeve të caktuar.
Nëse ka refleksion nga pjesa e deputetëve të tjerë ndikimi ne baze sigurisht ka efekt dhe baza e kërkon dhe e mirëpret.
Për grupimin e Alibeajt i shtrin dorën për të negociuar apo keni si qëllim shkrirjen e tyre?
Nuk mendoj që ka një grup. Ka deputetë me diferenca mendimesh dhe mënyra e bashkimit kalon nëpërmjet respektimit të vullnetit të bazës dhe vendimeve te Kuvendit te 11 Dhjetorit te thirrur nga anëtarësia!
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*