Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’, me përfaqësuesin Armando Cakrani në një deklaratë për mediat ka denoncuar se Partia Socialiste po tenton të prishë procesin zgjedhor në Vlorë, nën panikun e humbjes.
Cakrani tha se procesi zgjedhor po zhvillohet në shkelje të Kodit Zgjedhor pasi anëtarët e komisionit po punojnë me lista zgjedhësish dhe jo me pajisje PIE.
Sakaq shtoi se provat tregojnë se PS kërkon të sjellë me detyrim qytetarët që të votojnë në këto zgjedhje lokale.
“Partia Socialiste duke qenë në panikun e humbjes është duke prishur procesin zgjedhor, përmes përfaqësuesve të saj në qendrat e votimit. Procesi po kryhet në shkelje të Kodit Zgjedhor, pasi asnjë qendër votimi nuk mund të punojë me listë zgjedhësish vetëm nëse pajisja PIE nuk punon dhe identifikimi do bëhej nga kjo listë. Nga provat të cilat ne kemi, shkelja po bëhet në disa qendra votimi të Vlorës dhe PS po shkel dhe tenton të prishë procesin zgjedhor. Përfaqësuesit e PS kanë qëllim që të nxjerrin listat e votimit nga kutitë për të sjellë në votim me detyrim të gjithë personat që kanë marrë përgjegjësi, por qytetarët do votojnë të lirë ne jemi pranë tyre. Provat janë duke u administruar dhe do ti vihen në dispozicion dhe medias”, tha ai.