Thoma Jano është rikonfirmuar edhe për një mandat tjetër 2-vjeçar si Zëvendësprokuror i Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit të parë.
Pas shpalljes së thirrjes për shprehjen e interesit nga Prokurori i Përgjithshëm dhe z. Jano ishte kandidatura e vetme, në mbledhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme më 17 dhjetor Jano është rizgjedhur me votim unanim.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e prokurorëve të prokurorisë së Përgjithshme dhe duhet të ketë të paktën 10 vjet përvojë si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.
Kush është Thoma Jano?
Thoma Jano u zgjodh Zv/Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në dhjetor 2019. Ai mban postin e shefit të sektorit të përgjimit të komunikimeve elektronike që prej vitit 2006. Z. Jano ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë shqiptare që prej vitit 1976. Ai ka mbajtur poste drejtuese në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm me një kontribut të spikatur në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Përgjatë periudhës 2002-2004 Z. Jano ka ushtruar detyrën e Zv.Ministrit të Rendit Publik.
Z. Jano është diplomuar si jurist në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, Dega Drejtësi, Universiteti i Tiranës si dhe ka përfunduar Shkollën e Lartë të Ministrisë së Brendshme. Përgjatë karrierës së tij ka kryer programe trajnimi dhe kualifikime të shumta brenda dhe jashtë vendit në institucionet partnere më të rëndësishme.
Njoftimi:
Në mbështetje të Vendimit nr. 218, datë 23.12.2019 të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në përputhje me nenin 148/b, shkronja “dh” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 39 pika 6 të ligjit nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, është zhvilluar procedura e zgjedhjes së Zëvendësprokurorit të Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit 2-vjecar të z. Thoma Jano, i cili ka mbajtur këtë detyrë përgjatë periudhës 30.12.2019 deri në 30.12.2021.
Pas shpalljes së thirrjes për shprehjen e interesit nga Prokurori i Përgjithshëm, për pozicionin e zv.Prokurorit të Përgjithshëm, në mbledhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme të zhvilluar në datë 17 dhjetor 2021 është rizgjedhur me votim unanim kandidatura e z. Thoma Jano për pozicionin e zv.Prokurorit të Përgjithshëm. Z. Jano riemërohet Zëvëndësprokuror i Përgjithshëm me vendimin nr. 132, date 30.12.2021 të Prokurorit të Përgjithshëm.
/Priza.al/