Kreu i PD, Sali Berisha ka reaguar pas marrëveshjes së arritur për njohjen e dokumenteve respektive nga Kosova dhe Serbia.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Berisha shkruan se kjo marrëveshje është hap për të normalizuar marrëdhënien mes dy vendeve.
Sakaq thekson se PD ka mbështetur ‘pa lëkundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve’.
Postimi i plotë:
Një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur!
Të dashur miq, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zgjidhjen e problemit të dokumenteve bazuar mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit të kërkuar nga qeveria e Kosovës d.m.th. njohjen respektive të dokumenteve të njëra tjetrës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Partia Demokratike ka mbështetur pa lëkundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve.
Me këtë rast, Partia Demokratike, duke vlerësuar lart kontributin e të deleguarve të veçantë për dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, përshëndet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe uron që mbi bazën e parimeve te barazisë dhe reciprocitetit, parime universale në marrëdhëniet midis vendeve, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të mëdha midis dy vendeve.
Vetëm një Ballkan i vendeve sovrane dhe te barabarta do mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurte në BE dhe NATO! sb