Pas situatës kaotike të krijuar në aeroportin e Rinasit me kontrollorët e Albcontrol të cilët braktisën punën të gjithë njëkohësisht, ministrja Balluku ka hedhur hapin e radhës. Gjatë ditës së sotme, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka firmosur një urdhër që i hap rrugë marrjes së kontrollorëve të huaj në raste emergjence. Duke iu referuar vendimit në fjalë, do të njihet licenca e kontrollorëve të huaj, kur ajo është lëshuar nga një vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.
Mëngjesin e sotëm, situata iu rikthye normalitetit, ku një pjesë e kontrollorëve u rikthyen në punë, pas thirrjeve të vazhdueshme nga ana e kryeministrit Rama dhe ministres Balluku. Për ngërçin e krijuar, policia ka arrestuar tre kontrollorë të trafikut ajror, kreun e sindikatës Armando Fezga, Flora Ndreca, përgjegjëse e turnit dhe Muhin Mezini, pas kallëzimit në Prokurori nga AlbControll, si nxitës të bllokimit të punës në Rinas.
“Përjashtimisht për situatën emergjente të krijuar në shërbimet e lundrimit ajror, në kushtet e mungesës së personelit rezervë të licencuar për ofrimin e këtij shërbimi, deri në një urdhër të dytë, pika 4, e nenit 2, të urdhrit të ministrit nr. 91, datë 21.2.2019, “Për miratimin e rregullores për përcaktimin e kërkesave teknike dhe të procedurave administrative, në lidhje me licencat dhe certifikatat e kontrollorëve të trafikut ajror”, ndryshohet si më poshtë:
- Për kontrollorët e trafikut ajror, që synojnë të ofrojnë shërbime të trafikut ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, pranë ofruesit të shërbimit të lundrimit ajror të Republikës së Shqipërisë, por që vendi kryesor i operimit dhe zyra e tyre e regjistrimit (nëse kanë), ndodhet jashtë territorit ku aplikohet kjo rregullore (ose ekuivalentja e saj në BE), do të njihet licenca e tyre, kur ata mbajnë një licencë të kontrollorit të trafikut ajror të lëshuar nga një vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), në përputhje me aneksin 1 të Konventës së Çikagos. Me njohjen e licencës, këta kontrollorë konsiderohen të licencuar, në përputhje me paragrafin 1 të kësaj rregulloreje.
Detyrat dhe funksionet e caktuara për kontrollorët e trafikut ajror të referuar në nënparagrafin e parë nuk do të tejkalojnë privilegjet e licencës së lëshuar nga vendi i tretë, jashtë ZPEA-së, sipas përcaktimeve të marrëveshjes shumëpalëshe.
- Autoriteti i Aviacionit Civil të realizojë njohjen e licencave, sipas aneksit 1 të Konventës së Çikagos,.
- Ngarkohet Autoriteti i Aviacionit Civil për ndjekjen e zbatimit të këtij urdhri.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në Fletoren Zyrtare”, thuhet në vendim.