Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka zbuluar se policia është duke kryer hetime në disa pista për të shumë kërkuarin Ervis Martiinaj, nëse është vrarë apo është zhdukje e vullnetshme.
I ftuar në ‘Top Channel’, Çuçi tha se Martinaj do të jetë gjithmonë në kërkim nga drejtësia dhe se policia nuk do të flasë deri në momentin që të ketë prova.
Sakaq shtoi se reforma në AMP ka dhënë frytet e veta.
“Policia po heton të gjitha pistat dhe do të flasë kur të ketë prova sepse nuk mund të flasë në bazë të thashethemeve. Pistat janë pista e vrasjes, pista e zhdukjes në mënyrë të vullnetshme. Ai është gjithmonë në kërkim nga drejtësia, sepse ka pasur edhe më herët statusin e të shumëkërkuarit. Konkluzioni do të jetë i bazuar në prova, jo në thashetheme. Është policia që ka identifikuar policin që e shoqëroi. Reforma që bëmë ne në AMP po jep frytet e veta. Kemi krijuar strukturë të re inteligjente e kemi shkëputur nga policia dhe ka pasur rezultat mbresëlënëse në një vit. Arrestime këtë 8 mujor 183 arrestime vetëm policë , ndërsa në 2019 ka pasur vetëm 40. Janë të rëndësishme faktet. Kjo është një betejë e përjetshme që bëhet brenda çdo organizate midis të mirës dhe të keqes. Nuk është e thënë që vesh uniformën e policisë ti je virgjëreshë. Ka element të korruptuar dhe bashkëpunojmë me krimin”, tha ai.