Prokuroria e Sarandës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me zhdukjen e dy shtetasve në këtë qytet. Familjarët e Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit alias Fatmir Krasniqi dyshojnë se të afërmit e tyre janë rrëmbyer e më pas vrarë, prandaj dhe kërkojnë trupat e të ndjerëve.
Organi i akuzës në Sarandë ka theksuar se publikimi i informacioneve të paverifikuara nuk është në interes të asnjë pale të përfshirë në ngjarje. “Ekspozimi në media apo rrjetet sociale i deduksioneve personale, jo vetëm që cënon rëndë veprimtarinë hetimore por i vendos edhe personat e ndryshëm të përfshirë ose jo në ngjarjen konkrete në situata jo reale dhe të panevojshme” – thuhet ndër të tjera në njoftim.
Reagim i Prokurorisë Sarandë
Prokuroria pranë Gjykatës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Sarandë, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Kom.Pol.Sarandë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë po kryen me intensitet të lartë veprimet proçeduriale në funksion të procedimit penal nr 169/2023, regjistruar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” parashikuar nga neni 109/3 i Kodit Penal.
Duke vlerësuar se parësore në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese, është ushtrimi i ndjekjes penale dhe zbulimi i autorëve të veprës penale, Prokuroria Sarandë konstaton me shqetësim se informacionet e fundit mediatike të datës 01 maj 2023, nuk i shërbejnë zbulimit të së vërtetës, madje as edhe nuk i ndihmojnë organet ligjzbatuese për zbardhjen sa më shpejt të saj.
Gjithashtu, organi i akuzës vlerëson se nuk është as edhe në interesin publik, publikimi i informacioneve të pa verifikuara dhe që nuk janë shpërndarë ligjërisht nga autoritetet kompetente.
Vlerësojmë se ekspozimi në media apo rrjetet sociale i deduksioneve personale nga cilido që mund të vijë në posedim të informacioneve të ndryshme të marra konfindecialisht nga persona që e përfitojnë informacionin për shkak të detyrës, jo vetëm që cënon rëndë veprimtarinë hetimore por i vendos edhe personat e ndryshëm të përfshirë ose jo në ngjarjen konkrete në situata jo reale dhe të panevojshme në raport me interesin e familjarëve të viktimave nga vepra penale, në raport me interesin publik por edhe në raport me vetë autoritetet hetimore.
Duke e mirëkuptuar interesin e mediave për informimin e publikut, organi i akuzës kërkon angazhimin e tyre për mosekspozimin e informacionit të paverifikuar dhe të panevojshëm me qëllim që ky interes të mos prevalojë mbi interesin e hetimeve të ngjarjes, por as edhe mbi sigurinë publike.