Çdo orë që kalon zbulon të tjera detaje lidhur me zhdukjen e dy 46 vjeçarëve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari.
Teksa policia dhe familjarët kanë rrethuar fshatin Vrinë të Bashkisë Konispol, ekspertë kriminalistë kanë krahasuar të dhënat e automjetit tip “Mercedes-Benz” të gjetur të fshehur në afërsi te fshatit Nivicë, Bashkia Himarë, me një ngjarje tjetër. Nga pamjet filmike të siguruara në ngjarjen e datës 5 dhjetor 2022 ku në banesën e shtetasit L. L., u vendos një sasi eksplozivi, rezulton se mjeti i dyshuar është një “Mercedes-Benz” E Class.
Ky mjet dyshohet se është i njëjti mjet me atë që është gjetur i fshehur në një magazinë në afërsi të fshatit Nivicë dhe që mund të jetë i njëjti mjet që ka rrëmbyer “Koçolen” dhe Sulovarin. Mjeti rezulton se ka të lyera me sprajt disqet. Ndërkohë një mjet i dytë tip “Land Rover” Discovery është sekuestruar dhe marrë me karoatrec në një karburant në Qafë-Gjashtë. Mjeti dyshohet se është lënë aty qëllimisht për të qenë në mbikëqyrje të kamerave me qëllim për të hequr dyshimet mbi autorët e mundshëm.