Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të mbledhë kryesinë e grupit parlamentar demokrat sot në orën 18:00. Pas përfundimit të mbledhjes, Basha pritet të mbajë një deklaratë për mediat.
Kjo lëvizje nga ana e tij vjen në një moment shumë delikat kur shumë anëtarë të FRPD, i kanë dalë kundër duke u bashkuar me ‘foltoren’ e organizuar nga ish kryeministri Sali Berisha.
Basha duket se tashmë ka kundër tij një pjesë të konsiderueshme të deputetëve demokratë, duke përmendur së fundmi edhe deputeten Floriana Garo e cila u bashkua me foltoren e ish kryeministrit, Sali Berisha duke dhënë një mesazh kundër Bashës. Dy ditë më parë, kryedemokrati shpalli zgjedhjet në FRPD, duke bërë kështu që të zyrtarizohej mandati i kryetarit aktual, Belind Këlliçi i cili u njoftua me këtë vendim vetëm pak momente pasi zyrtarizoi pjesëmarrjen në “foltoren” e Berishës.
Sipas tij dhe përfaqësuesve të tjerë të FRPD, kjo është një lëvizje anti-statuore pasi nuk mund të ndodhë largimi nga posti i kryetarit të forumit rinor pas pasur asnjë lloj votimi.
Ndërsa nuk dihet saktësisht tema e diskutimit mes kryedemokratit dhe grupit parlamentar të PD, nëse do të jetë lidhur me zhvillimet më të fundit brenda partisë apo me projektligjet që pritet të propozohen në Kuvend.
/Priza.al/