Turistët e huaj që do të zgjedhin jugun e Shqipërisë këtë verë, do t’i paguajnë të gjithë shërbimet në lekë.
Ky është vendimi që tur-operatorët turistikë dhe njësitë e tjera të shërbimit kanë marrë si masë e detyrueshme për shkak të rënies së vazhdueshme të euros dhe luhatjeve të kursit të këmbimit.
Megjithatë, masa nuk do të vlejë për ato biznese që kanë lidhur kontrata që prej fillimit të vitit.
Kështu deklaron Besnik Vathi, kreu i Shoqatës së Tur-Operatorëve Shqiptarë.
“Nëse bizneset kanë kontrata pagesash me euro, nuk mund të ndryshojnë mënyrën e pagesës dhe turistët do të paguajnë po në të njëjtën formë.
Nga ana tjetër, nëse në një hotel paraqitet një klient, nuk diskutohet që ligjërisht duhet t’i ketë çmimet në lekë. Ata mund ta ndryshojnë çmimin e referencës kur të duan deri në momentin që nuk kanë një kontratë të përhershme”, vëren ai më tej.
Masa, do të vlejë për ata që nuk kanë nënshkruar kontrata në euro.
Që nga fillimi i muajit qershor, kursi Euro-Lek ka rënë me 3.9%, ndërsa krahasuar me një vit më parë kursi i këmbimit ka rënë me 12.1%.
Për Vasil Bedinaj, kreu i operatorëve turistikë vetëm për jugun e Shqipërisë, ky vendim do të ndikojë më shumë turistët.
“Në Booking bizneset tashmë kanë nisur që çmim reference të kenë monedhën vendase. Fakti që euron ata duhet ta konvertojnë me më pak lekë për shkak të rënies së saj, do i rëndojë më shumë xhepat e tyre por bizneset do përfitojnë më shumë. E kundërta do të ndodhë me bizneset që kanë kontrata.
Për klientin efekti do të jetë njësoj por bizneset shqiptare do të humbasin”, thotë ai.
“Bizneset që po e vuanin më shumë ishin ato që kishin çmime në euro në Booking”, thotë Bedinaj
Nga një hotel në Himarë, pronarët thonë se kjo masë ishte e domosdoshme në këto kushte të kursit të këmbimit.
“Po të flasim në zhargon, euro është gati një me një me lekun. Prandaj ne kemi zgjedhur që të pranojmë pagesa në lekë dhe kërkesat janë të kënaqshme. Rreth 15% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.
Pastaj ashtu si në të gjithë botën ku ne shkojmë dhe paguajmë me monedhat e tyre, edhe turistët e huaj do paguajnë me monedhën tonë”, deklarojnë ata.
Hotelet shqiptare në Booking po ndryshojnë çmimin e referencës
Pritshmëritë që kanë për prurjet e turistëve këtë vit, tejkalojnë edhe ata të vitit të shkuar.
Hartës së nacionaliteteve i janë shtuar sëfundmi edhe turistët nga Amerika Latine. Si nxitje, tur-operatorët mendojnë që ka ndikuar katërfishimi i turistëve spanjollë vitin e kaluar dhe shtimi i dy linjave të reja me Madridin dhe Barcelonën, gati 5 herë në ditë.
Vathi thekson se ndonëse nuk bën dot parashikime për shifra të sakta, ka pritshmëri që numri i turistëve këtë verë do kalojë edhe shifrën e vitit të shkuar, prej 7.5 mln.
“Duke pasur parasysh që hapja vjet u bë më vonë për shkak të situatës pandemike, nuk ka asnjë arsye që këtë vit që jemi në kushte normale, të mos jetë më mirë se vjet që ka qenë verë e vonuar”, vëren gjithashtu ai.
Ndërsa për situatën me krizën e punonjësve ku si në verën e shkuar hoteleritë kanë mungesë stafi, Vathi thotë se do të shihet më tej nëse kjo do të jetë apo jo në dëm të cilësisë.