Ende nuk ka asnjë shenjë jete nga përgjegjësi i sigurisë Arjan Sala, i cili mbeti i bllokuar brenda magazinës tek mbikalimi i Kamzës. Kur kanë kaluar më shumë se 16 orë, nga zjarri që përfshiu një magazinë në qendrën tregtare në Tiranë, Arjan Sala ende nuk është gjetur.
Prej orës 16:00 të një dite më parë, dyshohet se trupi i Arjan Salës ndodhet brenda në magazinë, por për shkak të shtëllungave të dendura të tymit, është e vështirë që të ndërhyhet.
Roja ishte futur në magazinë për të shpëtuar punonjësit nga zjarri që kishte rënë, por dyshohet se ka mbetur vetë brenda. Familjarët kanë tentuar të lidhen disa herë me të nëpërmjet celularit, por pa sukses.
33-vjeçari është prind i një djali 2 vjeç, dhe kishte disa vite që punonte në sektorin e sigurisë në këtë magazinë, ndërsa tashmë ishte përgjegjës.