Zjarret në Kanadanë Perëndimore vazhdojnë të përhapen, ndërsa numri i të evakuarve ka arritur në rreth 30 000 njerëz.
Dy ditë më parë, autoritetet në provincën e Albertës u detyruan të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme dhe urdhëruan evakuimin emergjent të rreth 25,000 banorëve.
Në luftën kundër zjarreve, autoritetet theksojnë zonat e banuara. Drayton Valley, një qytet me 7,000 banorë në Alberta, rreth 140 kilometra në perëndim të Edmontonit, ishte në mesin e komuniteteve të evakuuara.
Në Fox Lake, në veri të Albertës, flakët dogjën 20 shtëpi, një dyqan dhe një stacion policie. Banorët u evakuuan me anije dhe helikopterë.
Kushtet mbeten të paqëndrueshme dhe autoritetet thonë se është e vështirë të përcaktohet shkalla e saktë e dëmit në këtë moment.
Kjo provincë e veçantë kanadeze, prodhimi i naftës së të cilës është ndër më të lartat në botë, “po përjeton një pranverë të nxehtë dhe të thatë dhe me kaq shumë bimësi të thatë, mjaftojnë disa shkëndija për të shpërthyer zjarre vërtet të tmerrshme”, tha Kryeministri i provincës, Danielle Smith, dje të shtunën.
Dy zjarre që mbeten jashtë kontrollit në British Columbia fqinje kanë detyruar gjithashtu banorët të evakuojnë shtëpitë e tyre dhe autoritetet kanë paralajmëruar se presin që erërat e forta t’i fryjnë ato gjatë 24 orëve të ardhshme.
Zjarrfikësit nga Ontario dhe Quebec mbërritën në provincë dhe u vendosën në fronte të ndryshme.