Zjarret në vend/ Peleshi: Kemi një vatër shumë të rrezikshme në Gjirokastër, bëj thirrje për evakuime!

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, bëri një pasqyrim të situatës së zjarreve në vendin tonë, nga Baza Operative e Pashalimanit, prej ku tha se janë shuar deri më tani 163 vatra nga forcat e ushtrisë, zjarrfikësit dhe emergjencave civile.

Mes të tjerash, ministri deklaroi se “Në Mashkullorë të Gjirokastrës kemi çuar një kontingjent me 50 efektivë, sepse kemi një vatër jashtëzakonisht të rrezikshme. Era po i çon flakët drejt fshatit. Bëj thirrje për evakuim. Policia e Shtetit të mos mendohet dy herë për t’i evakuuar banorët”.

Duke folur për gazetarët këtë të premte, ai tha se vatra më serioze në veri është ajo e Kukësit, por po punohet me forca të kombinuara nga toka dhe ajri. Pjesa tjetër e vatrave në veri është nën kontroll.

Në Gjirokastër po punohet për të eliminuar plotësisht vatrat dhe për të shmangur rindezjen e tyre. Situatë serioze paraqitet në Mashkullorë, ku Peleshi i bëri thirrje Policisë së Shtetit që të mos mendohet dy herë për evakuimin e qytetarëve nëse janë në rrezik.

Kemi fikur 163 zjarre deri tani, është një shifër shumë dinamike. Para 10 minutash kemi një vatër shumë të rrezikshme në Mashkullorë të Gjirokastrës. Kemi angazhuar 1300 efektivë nga FA, ka mbi 1000 efektivë zjarrfikës, 143 mjete zjarrfikëse.  Jemi duke punuar me 3 helikopterë në të gjithë Shqipërinë.

Vatra më serioze është ajo e Kukësit, ku kemi punuar dhe po punojmë kombinuar nga toka dhe nga ajri. Nuk rrezikon banesa. Është në kontroll, por nga ç’ka në zonën e veriut është më seriozja. Në luginën e Valbonës kemi një vatër zjarri që është nën kontroll. Edhe në vatrat e tjera i kemi nën kontroll dhe nuk rrezikojnë banesa”, u shpreh Peleshi.

Ndërkohë, vatër e rrezikshme vijon të jetë vedhe ajo në Karaburun. Kjo për shkak se zjarri kërcënon një nga mushkëritë më të rëndësishme të Shqipërisë. Peleshi tha se strategjia është që deri nesër të mbahen vatrat siç janë mbajtur këto ditë deri në futjen në përdorim të helikopterëve që do të vijnë në ndihmë nga Holanda. Me ardhjen e tyre, ai u shpreh se do të ketë lajme të mira shumë shpejt për vënien nën kontrollin e plotë të flakëve.

“Jemi në vatrën më të rrezikshme. Por kam një lajm të mirë, jo përfundimtar. Këtu në Llogara në frontin e parkut të Llogarasë, ku zjarri kërcënon një nga mushkëritë më të rëndësishme të Shqipërisë, shumë trupa kanë punuar atje, shumë dedikim, shumë prej tyre më kanë prekur me sakrificën që bëjnë, deri tek një personazh, të cilin e veçoj, ky është prefekti i Vlorës, është një njeri i rrallë, është hero që nuk i takojmë çdo ditë. Dje e ka kaluar natën në majën e Karaburunit së bashku me forcat e ushtrisë. Ka sakrifikuar, ka kaluar natën në 1300 metra lartësi duke luftuar me flakët së bashku me efektivët. E falenderoj publikisht. Në Llogara strategjia është ta mbajmë siç e kemi mbajtur këto ditë, deri nesër ku është planifikuar fluturimi i dy helikopterëve të fuqishëm. Ata kanë një kapacitet shumë më të madh. Besoj se sapo të futen në funksionim do të kemi lajme të mira. Kemi shumë optimizëm sot, shumë më tepër se sa dje në të njëjtën orë. Kemi njerëzit tanë më të mirë, aty”, tha Peleshi.

Ministri tha se duhet të ndëshkohen “pa mëshirë” të gjithë ata që vejnë zjarret me qëllim. Në shumë raste këta persona janë të identifikuar.

NJOFTIMI I MINISTRISË SË MBROJTJES:

ZJARRET NË VEND, U SHUAN 163, MBETEN ENDE 10 VATRA AKTIVE

Si pasojë e temperaturave të larta, gjatë 10 ditëve të fundit vendi ynë është përballur me situata problematike zjarri, të cilat kanë rrezikur jetë njerëzish, banesa, gjënë e gjallë, trashëgimi kulturore, zona pyjore dhe parqe arkeologjike.
Në të gjithë territorin deri tani janë shuar 163 zjarre, për të cilat janë angazhuar 1289 Forca të Armatosura me 146 mjete të FA, 143 mjete zjarrfikëse, 1052 forca zjarrfikëse dhe 441 forca të tjera nga emergjencat civile.

SITUATA E ZJARREVE GJATE DITËS SË SOTME;

Vlorë, Gadishulli i Karaburunit – Situata e zjarrit nuk paraqet rrezik për Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Vatra po mbahet nën kontroll.

Kukës – Në majën e Runës gjithashtu flakët po mbahen nën kontroll nga ajri dhe toka. Flakët janë në drejtim të fshatit Shemri, por pa rrezik pasi është në distancë të largët.

Mirditë – Dy vatra zjarri ndodhen përkatësisht në fshatin Thirrë dhe Munellë. Situata aktualisht është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik.

Vermosh – Në Malësinë e Madhe zjarri po mbahet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezikshmëri.

Tropojë – Është bërë i mundur izolimi i flakëve në Betosh dhe Shëngjergj.

Shkodër – Një tjetër vatër në Theth është izoluar dhe po monitorohet. Nuk paraqet rrezik.
Zjarri në fshatin Cukal është drejt shuarjes përfundimtare.

Lugina e Valbonës – Zjarri në Margegaj është në zonë shkëmbore dhe nuk paraqet rrezikshmëri.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *