Zonja e Parë Armanda Begaj merr pjesë në ecjen simbolike në Berat nën moton “Fjongo Rozë më kujton..”

Zonja e Parë, Armanda Begaj, në kuadrin e “Tetorit Rozë” – muajit ndërgjegjësues për luftën ndaj kancerit të gjirit – mori pjesë sot në aktivitetet e organizuara nga Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare (YWCA) në Berat nën moton “Fjongo Rozë me kujton…”.

Pjesë e këtyre aktiviteteve ishte edhe ecja simbolike që synon solidarizimin dhe ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave lidhur me këtë sëmundje dhe u bën thirrje atyre për të mos lënë pas dore kontrollet periodike që ndihmojnë në diagnostikimin në kohë të sëmundjes.

Ecja simbolike nisi në Urën e Goricës në Berat dhe vazhdoi deri në pedonalen në qendër të qytetit. Asaj iu bashkuan edhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ambasadorja e Izraelit, Galit Peleg, zëvendësshefja e UNICEF-it në Shqipëri, Edina Kozma, kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo si dhe personalitete të tjera të jetës politike e publike.

Në vijim, Zonja e Parë Armanda Begaj i dorëzoi trofeun simbolik “Vullnetar i Fiongos Rozë” poetes shkodrane Arjola Zadrima për përballimin me dinjitet të sëmundjes dhe kthimin në simbol të kurajës për gra dhe vajza të tjera që përballen me këtë sfidë të vështirë.

“Me këtë çmim të ‘Vullnetarit të fjongos rozë’ të falënderojmë që me dashurinë tënde për jetën ke vendosur ta jetosh çdo ditë atë si një sfidë, si një trofe dhe të frymëzosh cilindo nga ne për t’u bërë jo vetëm me njëra-tjetrën, por të gjithë bashkë, nënë, babë, grua, burrë, motër, vëlla, bija, bij, mikesha e miq që me kurajë, optimizëm e energji pozitive të luftojmë së bashku për jetën”, theksoi zonja Begaj.

Gjatë aktivitetit u shpërndanë materiale informuese e promovuese për mënyrat e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, si fletëpalosje, broshura, fjongo rozë, bluza, etj. si simbol i luftës kundër kancerit të gjirit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *