Zonja Kim, antikorrupsioni dhe harta e re gjyqësore

Nga Viktor Malaj

Para pak ditësh, qeveria shqiptare organizoi një konferencë për luftën kundër korrupsionit. Me gjithë gjendjen alarmante të këtij fenomeni në Shqipëri, nuk kuptohet përse qeveria jonë bën shfaqje (show) të tilla dhe nuk forcon punën në luftë kundër njërit prej faktorëve kryesorë që po ua tëhuaj atdheun shqiptarëve.

Bariut i kërkohet të vrasë ujkun që po shqyen kopenë dhe jo të mbajë fjalime boshe ndërkohë që ujku gjendet ende në vathë.

Në atë konferencë merrte pjesë edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, znj. Kim, e cila pohoi se “Ju jeni në një çast kritik të historisë tuaj. Duhet të vendosni praktikisht se në cilin drejtim do të shkoni: do të shkoni përpara apo mbrapa? Kush do ta zotërojë vendin tuaj? Do ta zotërojë krimi i organizuar, vetëm oligarkët, apo do të kenë edhe njerëzit e zakonshëm mundësinë për të fituar, për të zotëruar prona, për t’i zhvilluar pronat e për t’u pasuruar? Ju duhet të vendosni!”.

Nuk ka kurrfarë dyshimi se prapambetja jonë dhe shkalla e lartë e korrupsionit në Shqipëri është përgjegjësi kryesore jona, kryesisht e klasës politike që u vetëkrijua gjatë mbi tre dhjetëvjeçarëve.

Nga ana tjetër, megjithëse të huajt kanë rolin e “mësuesit” dhe, jo rrallë të tutorit, në mjaft raste edhe ata janë bashkëfajtorë në shumë mangësi dhe paligjshmëri që kanë ndodhur këtu. Heshtja e tyre dhe, nganjëherë, reagimi me vonesë kundrejt fenomeneve negative shqiptare dhe autorëve të tyre ka ndikuar negativisht në ecurinë e shoqërisë dhe të vendit.

Gjatë tridhjetë e dy viteve janë bërë dhe lejuar veprime, apo miratuar ligje të cilat kanë pasur dhe do të kenë efekte negative afatgjata për vendin dhe popullin shqiptar. Qysh nga miratimi i Ligjit 7501/1991 “Për Tokën”, lejimi i zaptimit të pronave dhe ndërtimeve pa leje dhe, pastaj, legalizimi i tyre etj. janë kryer nën hundët dhe heshtjen e “mësuesve” perëndimorë.

Në Shqipëri u krijua dhe përparoi modeli i “biznesmenit” hajdut e kriminel, i cili, kur u fuqizua, u bë mik për kokë me politikën e të gjithë krahëve. Në këtë mënyrë, u krijua oligarkia, ekzistencën e të cilës shtetarët tanë e mohojnë. Oligarkia u fuqizua dhe po fuqizohet me përkrahjen e sundimtarëve të radhës, ndërsa sundimtarët po pasurohen në bashkëpunim me ta dhe kundër interesave të popullit shqiptar.

Tani, zonja e nderuar Kim bën disa pyetje retorike dhe, megjithëse në thelb ka të drejtë, na thotë në fund se “Ju duhet të vendosni” në çfarë rruge do të ecim dhe kush do ta zotërojë vendin.

Gjithë çështja është: Cilët kupton znj. Kim me “Ju”? Korrupsionin nuk e dëshiron dhe nuk e bën shumica e shqiptarëve. Korrupsionin e bëjnë shumica e zyrtarëve shtetërorë, të djeshëm e të sotëm, nga maja e piramidës deri në bazë. Tani, këta zyrtarë shtetërorë na bëjnë konferenca kundër korrupsionit, në një kohë që ne i kemi votuar për të qeverisur me drejtësi dhe pa korrupsion dhe, rrjedhimisht, iu kemi dhënë në dorë të gjithë instrumentet ligjor për ta penguar dhe luftuar korrupsionin.

Deri tani vendin tonë, praktikisht, e kanë zotëruar dhe e zotërojnë, jo vetëm oligarkët por edhe njerëzit e krimit të organizuar.

Nëse shtetarët tanë miratojnë ligje apo vendime posaçërisht në shërbim të një apo disa kompanive oligarkike; iu japin tendera kompanive fantazmë që nuk kanë më shumë se 100 mijë euro kapital apo që janë krijuar disa muaj përpara “fitimit” të tenderit; nëse rrugët apo objektet e rëndësishme kombëtare ndërtohen me një kosto shumë më të lartë se shpenzimet reale të ndërtimit (siç ishte rasti i “Rrugës së Kombit” e të tjera sot); nëse qeveria ua grabit pronat qytetarëve nën maskën e “zhvillimit të zonave strategjike”, duke iu dhënë atyre jo çmimet e tregut, por çmimet që përcakton ajo vetë; nëse qeveria i jep vetes të drejtën të konsiderojë investime strategjike ndërtimet e qejfit dhe luksit (siç janë fshatrat turistikë), dhe nuk lejon që zotëruesit realë të tokës të hyjnë në marrëdhënie shit-blerjeje me ndërtuesit, por bëhet vetë ndërmjetëse duke ua grabitur tokën fukarenjve dhe dhuruar atë oligarkëve; nëse trafikantëve të drogës, të femrave apo të parave të buxhetit shtetëror vendor e qendror iu jepet leje apo lejohen të ndërtojnë objekte marramendëse dhe pastaj iu sekuestrohen vetëm kur “kapen” në flagrancë; nëse konfliktet gjyqësore midis oligarkëve dhe njerëzve të krimit të organizuar me qytetarët e zakonshëm i fitojnë gjithmonë të parët, atëherë këtu nuk ka as dyshime se kush e zotëron vendin e pronën dhe as lind nevoja për të pyetur.

Njerëzit e zakonshëm kanë vetëm të drejtën të zgjedhin se cili do të bëhet sundimtari i tyre i radhës dhe ortaku i radhës me oligarkët.
Në kushtet kur shqiptarët, më shumë se asgjë tjetër kanë nevojë për drejtësi, janë të papranueshme iniciativa dhe përpjekjet e qeverisë dhe institucioneve të sistemit juridik për të krijuar një hartë të re gjyqësore.

Duke e ditur që (siç tregojnë edhe sondazhet e fundit) Reforma në Drejtësi, gjashtë vjet pas fillimit të saj, është shumë larg pritshmërive të popullit, dhe duke e ditur shumë mirë se gjykatat shqiptare janë të mbingarkuara me çështje penale e civile dhe kanë mungesa alarmante personeli gjykues, të vendosësh shkurtimin drastik të numrit të gjykatave do të thotë të jesh i papërgjegjshëm. Të injorosh tërësisht situatën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, si dhe infrastrukturën e vendit tonë dhe të marrësh si bazë studimi vende të tilla si Suedia apo Danimarka, kjo do të thotë të jesh “lolo”.

Janë jashtë çdo logjike dhe realiteti shqiptar pohimet e Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami se shkurtimi i gjykatave, sidomos atyre të Apelit, imponohet nga fakti se disa prej tyre nuk kanë numrin minimal 7 të gjyqtarëve, siç e parashikon ligji. Mungesa e numrit të gjyqtarëve imponon plotësimin e vendeve vakant dhe jo asgjësimin e të gjithë organikës dhe, rrjedhimisht, edhe vendndodhjeve të gjykatave. Vetëm nëse ngarkesat e gjyqtarëve do të ishin shumë më poshtë se normalja, atëherë do të lindte nevoja e shkrirjes dhe bashkimit të disa gjykatave.

Edhe pohimi tjetër i saj se duke shkurtuar numrin e gjykatave do të rritet efikasiteti i punës së tyre është i gabuar.

Duke i larguar gjykatat nga vendbanimet e qytetarëve, madje duke e centralizuar gjykimin e Apelit në kryeqytet, shteti shqiptar po ndërmerr një veprim antipopullor. Dhe, e keqja më e madhe nuk është se qeveria do të paguaj, dhe meriton të paguaj haraç për këtë veprim, por fakti se edhe opozita që tani kundërshton për interesat e saj elektorale, por duhet pranuar se ka të drejtë, nesër nuk do ta ndryshojë strukturën e propozuar sot.

Shkurtimet drastike të selive të gjykatave do t’i detyrojnë shtetasit shqiptarë, qofshin paditës, të dëmtuar, viktima apo ligjshkelës të akuzuar, të shpenzojnë më shumë kohë dhe para në kërkim të të drejtave të tyre. Është e paimagjinueshme që shqiptari nga Valbona e Tropojës, Malësia e Madhe apo Skrapari e Saranda të udhëtojë drejt Tiranës sa herë njoftohet për gjyqe në Gjykatën e Apelit, një pjesë e madhe e të cilëve anulohen me dhe pa arsye ligjore, siç po ndodh sot.

Edhe nëse qytetari nuk paraqitet vetë në gjykatë por përfaqësohet me avokat, shpenzimet financiare për mbulimin e punës së avokatit do të rriten disa herë. Një avokati që detyrohet të shkojë nga qytetet periferike në Tiranë për një gjyq në Apel, praktikisht i hiqet mundësia që ka pasur deri sot që në atë ditë të mbrojë klientët e tjerë në një gjyq tjetër.

Nëse shteti shqiptar ka nevojë të kursejë para, ky nuk është mjeti i duhur. Le të luftojë korrupsionin në dogana, tatime apo tendera dhe është e sigurt se do të kursejë qindra herë më shumë.

Duke shkurtuar numrin e gjykatave dhe larguar ato nga vendbanimi i qytetarëve dhe avokatëve është e sigurt se dhënia e drejtësisë do të vonohet. Një jurist kokorosh, që nuk vlen asnjë grosh, tha në TV se është e rëndësishme të jepet drejtësi dhe nuk ka rëndësi kohëzgjatja e gjyqeve. Ky pohim është krejtësisht i pavërtetë dhe shpreh papërgjegjshmëri të pafalshme.

Në botën perëndimore ka zënë vend parimi se “Një drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar” dhe, jo më kot, në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut thuhet se “Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme….”

Ky parim është i sanksionuar edhe në Kushtetutën e Shqipërisë edhe në ligjin procedural. Po ku pyet për kushtetutë e ligji juristi ynë kokorosh e mendjelehtë!
Siç dihet mirëfilli, ligji dhe zbatimi i tij kanë jo vetëm qëllime ndëshkimi, por edhe parandalimi. Nëse rastet e krimeve të vrasjes, plagosjes së rëndë, grabitjes, përdhunimit etj. nuk hetohen dhe gjykohen brenda një afati të arsyeshëm ato shpesh, sidomos në Shqipëri, bëhen shkak për krime të tjera.

Zvarritjet pa fund të proceseve hetimore e gjyqësore, edhe nëse në përfundim jepen vendime të drejta, krijojnë psikozën e mosndëshkimit dhe, rrjedhimisht, nxisin persona të tjerë me prirje të njëjta për të kryer krime.

Sikur çështja penale me njëzet të akuzuar, në krye të të cilëve ndodhet ish-kryetari i bashkisë Lezhë, Fran Frroku të mos ishte zgjatur tash pesë vjet, por të ishin ndëshkuar fajtorët e tjetërsimit të pronave, grupe të tjerë kriminalë në atë zonë apo në Sarandë nuk do të kishin guxuar të kryenin të njëjtin krim.

Po kështu, pronarët e vërtetë do të kishin marrë dhe gëzuar pronat e tyre dhe kështu znj. Yuri Kim s’do të kishte nevojë sot të pyeste “a do të kenë njerëzit e zakonshëm mundësinë për të zotëruar prona, për t’i zhvilluar pronat e për t’u pasuruar?”.

Tek ne ka ndodhur e kundërta: Krimi i organizuar i ka futur në dorë pronat brenda pak ditëve apo muajve ndërsa pronarët realë janë sjellë dhe sillen nëpër zyrat shtetërore dhe nëpër gjykata me dekada të tëra për të marrë pronat e tyre. Kështu, edhe çështja e sipërpërmendur penale zvarritet prej pesë vitesh dhe sot ndodhet në Gjykatën e Apelit Shkodër, ku pesë nga gjashtë seancat e fundit gjyqësore janë anuluar për shkaqe absurde, kryesisht të mungesës së gjyqtarëve apo prokurorit pasi janë thirrur nëpër seminare e konferenca në Tiranë (?!).

Mungesat alarmante të gjyqtarëve në gjykatat shqiptare janë edhe tregues i një pune jo të planifikuar mirë të institucioneve të Vetingut shqiptar, pasi nuk është menduar drejt problemi i zëvendësimit të të larguarve. Mirëpo, fatkeqësisht, nuk është vetëm ana sasiore që lë për të dëshiruar, por edhe ana cilësore e punës së Vetingut.

Një institucion aq i rëndësishëm dhe shpresëdhënës si SPAK, pavarësisht disa punëve të mira që ka bërë, është larg pritshmërive dhe etikës së punës. Një shtetas shqiptar nga Lezha, i cili ka kallëzuar para tre vitesh penalisht zyrat shtetërore dhe “krimin e organizuar” për tjetërsim pronash, i ka drejtuar dy letra zyrtarisht dhe një tjetër nëpërmjet shtypit kryetarit të atij institucioni, z. Arben Kraja. Thjesht ai kërkon të informohet për ecurinë e hetimeve, por përgjigje nuk merr.

Çfarë drejtësie mund të presë ky qytetar, dhe të tjerë si ai, nga SPAK kur ky institucion as që denjon të zbatojë ligjin procedural penal, i cili e detyron të njoftojë kallëzuesin apo palën e dëmtuar për ecurinë e hetimit, si dhe për kohën dhe motivet e zgjatjes së hetimeve. Një institucion i tillë, i mumifikuar brenda një bunkeri, nuk është ai që prisnin dhe që iu nevojitet shqiptarëve.

Për aq kohë sa institucionet e drejtësisë, të vjetra apo të reja, do të sillen si në dy rastet e lartpërmendura, e shumë të tjera si ato, është e sigurt se drejtimi nga do të shkojmë ne do të jetë: mbrapa, dhe Shqipërinë do ta zotërojnë oligarkët dhe krimi i organizuar.

Prandaj zotërinj qeveritarë dhe drejtues të institucioneve të pushtetit juridik, hiqni dorë nga konferencat fjalëshumë e punëpakta dhe, njëkohësisht, tërhiquni nga projekti i “hartës së re gjyqësore”, pasi është pa pikë dyshimi në kundërshtim me interesat e popullit dhe, veçanërisht, me interesat e pjesës më të cenuar nga paligjshmëritë e pushteteve dhe bota e krimit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *