Kryeministri Edi Rama në replikën e tij gjatë interpelancës me deputetin e PD-së Tritan Shehun, theksoi se ashtu si partia e tij edhe Shehu flasin vetëm për veten e tyre e me veten e tyre pasi nuk dëgjojnë askënd dhe e kanë fjalën të shkruar.
Sipas Ramës, askush nuk është kundër nismës ‘Ballkani i Hapur’, ndërsa shtoi se kërkohet gjithëpërfshirje. Ai bëri të qartë se edhe nëse dikujt nuk i pëlqen ky vendim, kjo nismë do të vazhdohet pasi shqiptarët me anë të votës ia kanë besuar Ramës.
Fjala e Ramës:
“Zoti Shehu ju thatë që më dëgjuat me vëmendje. Dhe fjalimin që ju dëgjova më vëmendje e kishit të shkruar. Pavarësisht fjalës sime. Ju nuk më dëgjuat zoti Shehu ndërkohë që unë ju dëgjova dhe më vjen keq që t’ju them se ju flisni me vete dhe flisni për vete, duke bërë atë që keni bërë si parti, prej shumë vitesh tani më, duke i marrë shqiptarët për budallenj. Edhe tani që flasim, prapë në partinë tuaj flitet me vete dhe për vete dhe iu thuhet shqiptarëve se flitet për ta. Kjo është çështja juaj. Askush, as në Bruksel, as në Hagë, e Uashington, nuk është kundër Ballkanit të hapur. Gjithkush thotë që Ballkani i hapur duhet të jetë gjithëpërfshirës pjesëmarrja në të edhe të tre vendeve të tjera është e mirëseardhur. E kam thënë që ditën e parë. Por nuk hyjë në garë me ju dhe askënd se me kë është Amerika, Europa, pasi është një garë si ato ndeshjet e futbollit me top leckë. Të kujtohet ai filmi ku Guri thoshte; Ata do të na rrahin. ka rëndësi ça thonë aleatët tanë, por më me rëndësi se çfarë bëjmë ne. Tregu u përbashkët rajonal i mbron këto interesa, i fuqizon. Ballkani i hapur është mekanizëm për të bërë këtë treg të përbashkët. Doni apo s’do ju, Ballkani i Hapur do të vazhdojë, pasi është në interes të shqiptarëve dhe ne shqiptarëve na e kanë besuar këtë, PS-së, dhe jo juve.”, tha Rama. Fill pas fjalimit të kreut të qeverisë, deputeti i DP-së, i ka kërkuar Ramës që të japë dorëheqje, ashtu si homologu u tij i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
/Priza.al/