Komunikimet në aplikacionin “Sky”, të zhvilluara mes kapo bandës së Shkodrës Behar Bajri dhe prokurorit të këtij qyteti, Xhevahir Lita, janë tejet tronditëse teksa, prokurori i çështjes flet hapur në telefon me të pandehurin e tij, duke bërë pazare deri në 100 mijë euro me qëllim heqjen e akuzave dhe lirim nga burgu.
Por kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi episode të tjera janë të regjistruara dhe ndërhyrje që i pandehuri Behar Bajri, i kërkonte prokurorit të tij, Lita, për lirimin e Eugen Vasos alias Brajoviq dhe personave të ndryshëm.
Bisedat me natyrë korruptive janë zhvilluar vetëm 4 ditë pasi Behar Bajri, ishte liruar nga paraburgimi 313 në Tiranë nga gjyqtari S., i cili sipas SPAK dyshohet se ka marrë një sasi monetare deri në 5 milion lekë të vjetra, duke i zbutur në 29 qershor 2020 masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë Xhevahir Lita, kishte krasitur më parë të gjitha akuzat për vrasje, gjobëvënie, pastrim parash të Bajrit, duke lënë në këmbë vetëm “Organizim pa lejë të lojërave të fatit”, për të cilën ai dhe u dënua me disa muaj burgim.
Por indiciet e forta mbi përfshirjen në korrupsion të gjyqtarit Sokol Shehu, shtohen akoma dhe më tepër, kur Behar Bajri, i sapo dalë nga burgu i ofron 100 mijë euro prokurorit Lita që t’ia japi gjyqtarit, me qëllim të mbyllë dosjen dhe zhveshë nga masa e sigurimit “arrest në burg”, të vëllait të tij, Enver Bajri.
I dalë nga burgu, Behari problemin e tij e konsideronte të mbyllur, por në atë valë kërkonte të zgjidhte dhe problemin që kishte me drejtësinë vëllai i tij, Enver Bajri.
Enver Bajri, ishte në të njëjtën dosje penale me Beharin, pasi gjatë një hetimi të kryer nga Krimet e Rënda, ai dyshohej se ishte përfshirë si një nga anëtarët kryesorë të grupit “Bajri” në Shkodër.
Dhe mbi bazën e këtyre dyshimeve gjatë operacionit “Oaz”, Enveri është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në datën 21 shtator 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Behar Bajri është liruar nga burgu në 29 qershor 2020 me vendimin Nr.307 të marrë në orën 10:00, duke caktuar “detyrim paraqitje” dy herë në javë të hënën dhe të enjte.
Një ditë më pas, në 30 qershor prokurori i çështjes Xhevahir Lita merr kontakt me të pandehurin e tij, Behar Brajoviq alias Bajri, i cili ka në përdorim Sky@EÇ TIV9E3, ku në orën 16:51:35 Behar Brajoviq i ka dërguar mesazhe Xhevahir Litës si më poshtë:
“…Daci vogel jam… ta paqa borgj vlla…ta po rrim nej dit gjejm nej vend e rrim…tiranë jam…”.
Xhevahir Lita e pyet se çfarë po bën dhe se ku ndodhet? Po ashtu ai orienton “dacin” se si do veprohet më tej, duke dërguar mesazhet si më poshtë:
“…ok ke me u paraqitë të hënën…në prokurori…të hënën në orën 10…”.
Në orë 17:03:31 prokurori Xhevahir Lita dërgon Pëllumb Gjoka mesazhet: “…po bëni qef me Dacin më duket…eheeeee…a ju a ju… jeni të qetë tani…”.
Ndërkohë tre ditë më pas, në 3 korrik 2020 Behar Bajri i shkruan Xhevahir Litës duke e pyetur për një porosi për një gjyqtar që kanë folur duke i thënë: ”…si je ti mirë a po flet me atë si folmë…” dhe Xhevahiri ia kthen si më poshtë vijon:”…po po kam folë dje, ishalla mirë…”