Ndikimi i politikës është ende i fortë te një pjesë e sistemit të drejtësisë, gjë e cila shikohet qartë edhe tek vendimet që lihen “rrugës” për dosje të bujshme në të cilat janë të përfshirë emra politikanësh apo ish-ministrash.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka apeluar vendimin e GJKKP-së lidhur me mos-hapjen e dosjes ‘Gërdeci’.
Më 27 korrik, pas shqyrtimit të kërkesës së SPAK, gjyqtari Erjon Çela, vendosi që të rrëzonte kërkesën e bërë me pretendimin se, Prokuroria nuk kishte siguruar asnjë provë të re.
Pas vendimit, në një intervistë për “Zëri i Amerikës”, kreu i SPAK, Arben Kraja premtoi se çështjes do t’i shkonin deri në fund, por duke iu përmbajtur konizave ligjore.
SPAK kërkoi rigjykimin e Fatmir Mediut, pasi e akuzon si një nga ish zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.
Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.
Ishin prindërit e 7-vjeçarit, Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008-ës, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, të cilët i janë drejtuar me një letër zyrtarisht Gjykatës së Posaçme, ku i kërkonin pranimin e kërkesës së SPAK për nisjen e hetimeve ndaj Mediut.
Në letrën drejtuar GJKKO, familja Durdaj shprehej se dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe që i hapin rrugë gjykimit.
/Priza.al/