SHËNIM NGA: LUAN LAZE
ZYHDI MORAVA
Nëse dikush meriton të jetë personazh romani, ky është shkrimtari Zyhdi Morava.
Provoi të gjitha punët në jetë. Roje, kositës bari, i internuar, hamall, i burgosur politik, shkrimtar, gazetar, drejtor hoteli e ndërmarrje, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve.
-E mbi të gjitha..? e nxisja.
-Dashnor profesionist- krenohej ai.
Babai i një djali nga martesa e parë dhe një vajze nga martesa e fundit. Autor i disa librave me tregime e poezi. Krijues i talentuar e plot frymëzim. Lirik i hollë e tepër elegant. Adrenalinë letrare kishte dashurinë.
Mik e shok besnik. Disa vite punoi gazetar në “Sindikalisti” me kolegët e talentuar Vangjel Kozma, Jani Duri, Dashnor Kokonozi, Halil Laze, Dervish Dumi, Arblen Bllaci etj. Si gazetar i shkruante mendja. Si shkrimtar, zemra. Unë e thërrisja Don Zyhdi Kazanova!
Dhjetra poezi ja ka kushtuar dashurisë. Adhurues i femrave dhe aventurier i spikatur. Elegant dhe sjellje aristokrati, sqime e shije të hollë. Romantik, burrëror e krenar. I pëlqente paraqitja e jashtme.
Kemi qeshur pafund me Zyhdiun. Një ditë më ftoi për drekë andej nga Liqeni. Vajtëm.
Në fund, tha seriozisht:
-Luan, kam surprizë për ty!
-Thuaje, çfarë?
-Tavolinën do e paguash ti!
-Maskara…!
Qeshëm.
Shkrimtari që dashuroi bukurinë, elegancën e sharmin femëror, me plot aventura, thoshte:
-Edhe nëse më harrojnë lexuesit, do më kujtojnë dashnoret.
Lexuesit e kujtojnë, dashnoret nuk e di!