Zyra e OBSH në Tiranë jep detaje për virusin HMPV

Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë ka publikuar informacionet më të fundit për metapneumovirusin njerëzor (hMPV), një virus i zakonshëm respirator që shpesh shkakton simptoma të ngjashme me një të ftohur të zakonshme. Ky virus është zbuluar për herë të parë në vitin 2001 dhe ndjek një model sezonal, duke arritur kulmin në dimër dhe pranverë.

Si përhapet hMPV?
Virusi përhapet përmes cërklave që prodhohen gjatë kollitjes dhe teshtitjes, kontaktit të ngushtë personal, dhe prekjes së sipërfaqeve të kontaminuara që mund të çojnë në prekje të gojës, hundës dhe syve.

Grupmoshat e rrezikuara
Foshnjat, të moshuarit dhe individët me sëmundje të mushkërive, si astma ose COPD, janë më të rrezikuarit. Kështu edhe ata që kanë sistem të dobësuar imunitar janë më të ndjeshëm ndaj komplikacioneve të mundshme të këtij virusi, si bronkiti dhe pneumonia.

Masat për parandalimin e përhapjes
OBSH rekomandon masat e thjeshta higjienike për të parandaluar përhapjen e virusit: mbajtjen e maskave, larjen e shpeshtë të duarve, dhe mbulimin e kollës dhe teshtitjes. Gjithashtu, është e rëndësishme të qëndroni në shtëpi kur ndiheni të sëmurë dhe të shmangni prekjen e fytyrës me duar të palara.

Trajtimi dhe vaksinat
Aktualisht, nuk ka një trajtim specifik ose vaksinë për hMPV. Kujdesi mjekësor është simptomatik dhe mund të përfshijë përdorimin e medikamenteve pa recetë dhe inhalatorëve për kollën e rëndë.

Kujdes higjiena dhe këshillat mjekësore
Për të parandaluar përhapjen e hMPV dhe infeksioneve të tjera respiratore, është thelbësore të ndiqni masat bazë të higjienës dhe këshillat mjekësore. Vaksinat për gripin sezonal gjithashtu janë të rekomanduara nga autoritetet shëndetësore për të mbrojtur më mirë shëndetin tuaj dhe të tjerëve.

Qytetarët inkurajohen të mbështeten tek autoritetet shëndetësore dhe të zbatojnë këto masa për të mbrojtur veten dhe komunitetin nga sëmundjet respiratore.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *