Gjatë ditës së sotme, u lajmërua se nga 1 janari 2023 do të rihapen bastet sportive online. U bë e ditur në projektbuxhetin e vitit 2023, ku parashikohet rifutja në legjislacion e basteve sportive online. Nga miratimi në ligj i lojërave të fatit ‘baste sportive’, me efekt nga 1 janari 2023, vlerësohet të arkëtohen në buxhetin e shtetit 2 miliardë lekë taksa në vit.
31 dhjetori 2018 ishte dita e fundit që në Shqipëri u lejua vendosja e basteve.
Pas këtij vendimi drastik të qeverisë fenomeni i basteve sportive nuk u zhduk.
Pothuajse çdo javë, në njoftimet e policisë deklarohen të arrestuar që ushtrojnë aktivitet të paligjshëm në fushën e basteve sportive apo kategorive të tjera të lojërave të fatit.
Edhe pse shteti e dënon penalisht këtë veprimtari shumë biznese të kamufluara si bare dhe lokale ofrojnë edhe shërbimin e vendosjes së skedinës.
Në vitin 2018, të ardhurat nga kjo kategori ishin 38.4 milion euro, dhe në 2017-n 44.5 milionë euro, ku vetëm bastet kishin derdhur 15 milion euro.
Kontributi në buxhet i bixhozit ranë 6 milionë euro në 2020-n kur lejohej vetëm një kazino kombëtare dhe 12.8 milionë në fund të vitit të shkuar me licensimin e 3 kazinove të tjera./Euronews