Zyrtare/ Greqia dënohet për dhunën e tifozëve në ndeshjen me Kosovën

Kosova u mposht 2-0 në Volos përballë Greqisë më 12 korrik, duke humbur mundësinë të siguronte vendin e parë në grupin 2 të Ligës C në Nations League.

Transferta e “Dardanëve” nuk kaloi pa probleme. Në pjesën e dytë të takimit, tifozët vendas filluan të hidhnin mjete piroteknike në tribunën ku ishin vendosur tifozët shqiptarë.

Ndeshja u ndërpre për rreth 5 minuta, teksa lojtarë të Kosovës reaguan tek arbitri kryesor për skenat e turpshme.

“Është ndeshje futbolli, nuk është luftë”, shpërtheu Vedat Muriqi.

Edhe kapiteni Amir Rrahmani u afrua të komunikojë me arbitrat, por pati një përplasje me trajnerin e Greqisë, uruguaianin Gustavo Poyet, i cili nuk i kurseu ofendimet ndaj mbrojtësit të Kosovës.

Në pushimin mes dy pjesëve pati edhe hedhje sendesh e dhunë ndaj tifozëve të Kosovës, himni u shoqërua me vërshëllima në stadiumin e Volosit, teksa lazerat shoqëruan gjatë gjithë ndeshjes lojtarët “Dardanë”.

Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s, ka gjobitur Federatën Greke të Futbollit me 31750 euro në total, teksa ka mbyllur edhe një sektor tribune për sfidën e radhës që helenët do e luajnë në stadiumin e tyre.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *