Ernest Gjoka është emëruar trajner në Arabinë Saudite. Tekniku i njohur kryeqytetas ka zgjedhur të vijojë karrierën e tij larg Shqipërisë. Gjoka do të drejtojë skuadrën e Ohod FC. Një aventurë e largët, por mjaft interesante për një nga trajnerët që ka bërë histori në Shqipëri duke fituar titullin e parë kampion me skuadrën e Kukësit.
Dy sezone më parë, Gjoka ishte në krye të Shkëndijës së Tetovës, ekipin shqiptar që shkëlqeu edhe në Kupat e Europës. Pritet me interes të shihet se si do të vijojë karriera e Gjokës në Arabinë Saudite. Shpesh është përfolur edhe në vendin tonë për të marrë drejtimin e ekipeve elitare, por siç shihet ka preferuar të provojë një aventurë shumë larg vendit tonë.