Rusia po i kthehet një skenari të njohur në përpjekjet e saj për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara ndërkohë që është vënë në kërkim të mënyrave për të ndihmuar kandidaturën e ish Presidentit Donald Trump duke diskredituar fushatën e Presidentit Joe Biden, sipas zyrtarëve amerikanë të zbulimit.
Një vlerësim i ri i kërcënimeve për zgjedhjet e nëntorit, i cili u nda me gazetarët, nuk përmend asnjë kandidat me emër. Por një zyrtar i zbulimit u tha gazetarëve se këndvështrimi i Kremlinit rreth skenës politike amerikane nuk ka ndryshuar nga ciklet e mëparshme zgjedhore.
“Nuk kemi parë ndonjë ndryshim sa i përket preferencave të Rusisë në garën presidenciale në krahasim me zgjedhjet në të kaluarën,” u tha zyrtari gazetarëve, duke pranuar të flasë mbi raportin me kusht që të mos identifikohet me emër.
Zyrtari tha se kjo preferencë është përforcuar për shkak “të rolit të Shteteve të Bashkuara përsa i përket Ukrainës dhe politikës së përgjithshme ndaj Rusisë.”
Ky paralajmërim nga zyrtarët amerikanë të zbulimit vjen gati katër vite pas një paralajmërimi të ngjashëm të bërë në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, gjatë të cilave presidenti i atëhershëm Trump garonte kundër zotit Biden.
Moska po përdor “një sërë masash në rradhë të parë për të diskredituar ish Nën-presidentin Biden dhe atë që e konsideron si një ‘klasë politike’ anti-Rusi,” kishte thënë në atë kohe ish drejtuesi i Qendrës Kombëtare amerikane të Kundërzbulimit dhe Sigurisë, William Evanina.
“Disa aktorë të lidhur me Kremlinin gjithashtu po synojnë të ndihmojnë kandidaturën e Presidentit Trump në rrjete sociale dhe televizionin rus,” shtoi ai.