“Gjuha angleze do të nisë të mësohet kudo në të gjitha shkollat e vendit që në klasën e parë. Është koha që të gjithë të mësohen me gjuhën bazë të komunikimit dixhital, qysh sot ne duhet ta pajisim brezin me dijet bazë”. Kjo është deklarata e Kryeministrit Edi Rama, në prezantimin e platformës qeverisëse të mandatit të tretë dhe nuk ka vonuar në përmbushjen e tij. Ministria e Arsimit ka shpallur urdhrin dhe programin e gjuhës angleze, ndërsa sot do të shpallen shtëpitë botuese që do të bëjnë gati tekstet për më të vegjlit e 9-vjeçares. E gjitha kjo ndodh paralelisht me një situatë paradoksale me të cilën përballen prej vitesh prindërit e nxënësve të klasave të treta.
Aty zbatohet një tjetër standard. Nuk bëjnë punë politikat e qeverisë për të nxjerrë një brez anglishtfolësish të mirë, por shorti. Ndonëse Rama shprehet se të gjithë fëmijët duhet ta mësojnë, e madje sa më shpejt, në disa shkolla çdo vit klasat, të cilat që në krye të herës do të zhvillojnë anglisht, italisht, frëngjisht apo gjermanisht, përcaktohen me “letër me vrimë”. Në një botë ku të gjithë rendin pikërisht drejt asaj që thotë Kryeministri, anglishtes, futen në lojë prindërit, të cilët ose ndërrojnë shkollë, ose klasën e fëmijës. Kështu, teksa ata që ulen për herë të parë në banka do të kenë një palë detyra më shumë, nxënësit që përfunduan klasën e dytë dhe futen në të tretën do të përballen sërish me short, pasi nuk mund të mësojnë gjuhën e huaj që duan e që duhet sot.
URDHRI
Nga marsi, kur u shpreh si pjesë e planit qeverisës, kanë mjaftuar vetëm dy muaj për të materializuar urdhrin bashkë me programin mësimor të gjuhës së huaj, të publikuar në 1 qershor, tre muaj përpara nisjes së vitit të ri shkollor. Ndërsa në 12 korrik (sipas urdhrit bashkëngjitur fotos) do të shpallet shtëpia botuese (më shumë se një). Ndonëse nuk kanë mësuar shqipen, praktikisht nxënësit do të duhet të punojnë me libra. Sipas Ministrisë së Arsimit, anglishtja do të vijojë të mësohet si gjuhë e huaj e parë, siç edhe gjykohet e përshtatshme nga ekspertët dhe vetë prindërit e fëmijëve, por nuk thuhet se çfarë do të bëhet me ata që nuk e kanë fare në kurrikul.
Kjo i lë formimin e tyre rastësisë (përmes ekraneve kompjuterike) apo kurseve shtesë, një kosto e angazhim ekstra për prindërit e këtyre nxënësve. Ulja e kohës së mësimit të anglishtes ka gëzuar mësuesit e gjuhës angleze, që presin të rekrutohen këtë vit më shumë, por nga ana tjetër, ka futur ankth te mësuesit e gjuhëve të tjera alternative, me frikën se mund të dalin “jashtë loje”. Mësimi i hershëm i gjuhës angleze shihet si i lidhur ngushtë me njohjen dhe përdorimin e teknologjisë. Për t’i mbajtur fëmijët brenda IT-së, do të implementohet edhe një tjetër risi, po këtë vit: që në klasën e parë do të bëhet edhe edukim për teknologji dhe informacion. Por për këtë, nuk ka ende asnjë detaj më shumë.
/Priza.al/