Zyrtarisht pritet që sot të nisë fushata zgjedhore, për zgjedhjet e 25 prillit. Fushata do të nisë në orare të ndryshme me një diferencë prej një ore, dhe do të zhvillohet një miting në sheshin kryesor të kryeqytetit, për të vijuar më tej në të gjithë vendin, përgjatë muajit të fundit para zgjedhjeve. Partia Demokratike do ta nisë fushatën nga sheshi “Nënë Tereza”, në orën 17:00, ndërsa pritet që më pas të shtrihet në të gjithë Tiranën.
Pala tjetër kundërshtare, Partia Socialiste do të hapë fushatën elektorale rreth orës 18:00 nga sheshi “Skënderbej”. Në krahasim me fushatat e mëparshme zgjedhore, kjo fushatë do të ndikohet nga kufizimet për shkak të pandemisë në të cilën ndodhet vendi. E për rrjedhojë, kjo fushatë nuk do të ketë grumbullime të simpatizantëve të asnjë prej forcave politike në vend, pasi janë ndaluar për të mos lejuar përhapjen e koronavirusit vdekjeprurës.
Po kështu, KQZ i është drejtuar me një shkresë zyrtare kryeministrit Edi Rama, të gjitha partive politike në vend dhe OSBE-ODIHR, lidhur me fushatën. Në shkresën dërguar Kryeministrisë dhe të gjitha Ministrive, KQZ u bën apel të gjithë drejtuesve të institucioneve publike në vend për vetëpërmbajtje dhe të respektojnë Kodin Zgjedhor. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve u drejtohet partive politike, duke iu thënë se e kanë të ndaluar të përdorin burimet publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore, dhe duke i paralajmëruar se nëse nuk zbatojnë kërkesat e KQZ, do të përballen me gjoba.
“Duke marrë në konsideratë raportet e para të depozituara nga monitoruesit, KQZ në përmbushje të përgjegjësive të veta dhe me qëllim për të përgatitur, zhvilluar dhe administruar zgjedhjet e datës 25 prill në përputhje me standardet më të mira për zgjedhje të lira, i bën apel të gjithë drejtuesve të institucioneve publike të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të përmbushin detyrimet e tyre sipas Kodit Zgjedhor, lidhur me zbatimin e nenit 91 të ligjit nr. 10019 datë 28.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë i ndryshuar”… “Ndalimi i përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore”.