Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka reaguar lidhur me atë që ai e quan abuzime të tregtarëve me çmimet. Thirrja e tij ka qenë e thjeshtë, ulni çmimet, kjo sepse sipas tij, tashmë nuk ka asnjë justifikim.
Lufta ka mbaruar, euro e dollari kanë rënë, thotë Braçe, e për pasojë sipas tij, duhet të bien edhe çmimet. Braçe shton se edhe rritja e pagave dhe pensioneve që qeveria ka bërë nuk “hyn në sy” për shkak të çmimeve shumë të larta.
“Uuuulniiiiiii cmiiiiiimeeeeeet! Boooooooll rrooopet njerëzit! Kur një vit më parë rritët rrufeshëm çmimet e produkteve të fabrikuara e të importuara, thatë lufta, nafta, euro, dollari etj etj! Një vit më pas; Tregjet janë ekuilibruar nga efekti i menjëhershëm i luftës, boshllëku në treg krijuar prej saj, çmimi i naftës ka rënë në nivelin e para luftës, euro ka rënë gjithashtu, dollari edhe më shumë;
Pra, çdo element që ndikonte në çmime ka pësuar rënie të fortë! Tregtarë, po ju pse nuk i ulni çmimet e produkteve të fabrikuara? Pseeeee? Po ju tregtarët e miellit e pastaj të bukës çfarë po bëni? Çmimi i grurit ka rënë, çmimi i misrit ka rënë, çmimi i thekrës ka rënë; po çmimi i bukës pse rri ai që ishte kur ju e ngritët? Kulmi.
Po ju tregtarët e perimeve e frutave çfare po bëni? Në tregun e Lushnjës po i rripni bujqit prodhues të domates me çmimin banal 30 lekë; po ky çmimi në Tiranë 150 lekë çfarë është? Pesë here më shumë!!! A jeni në terezi?! Sado të rrisim rrogat e pensionet ne, këto çmime grabisin çdo rritje! Është grabitje e pastër mbi njerëz në nevojë me së shumti! Jepini fund” , shkruan deputeti.