Përsëri kreu i shtetit nuk ka pranuar që të paraqitet për të dëshmuar në Komisionin Hetimor, duke i lënë “thatë” deputetët e PS-së, që po kërkojnë ta shkarkojnë nga detyra.
Presidenti Ilir Meta, i është përgjigjur letrës së Komisionit Hetimor që e kërkoi në seancë dëgjimore.
Në një shkresë zyrtare, Presidenti shkruan se ky komision e humbi mundësinë që nëse do të donte të zhvillonte një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, ta zhvillonte atë sipas kërkesës së tij, në datën 10 maj 2021, duke e mohuar këtë kërkesë në mënyrë arbitrare dhe të orientuar politikisht.
Po kështu Presidenti thotë se “me veprimtarinë e tyre të zhvilluar në shkelje të parashikimeve të detyrueshme për zbatim, Kuvendi e humbi mundësinë e dhënë nga Presidenti i Republikës për të respektuar Kushtetutën, Ligjin dhe Rregulloren e Kuvendit”.
Kreu i Shtetit thekson se nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit.
/Priza.al/