Rusia dhe Bjellorusia do të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta të forcave ajrore në Bjellorusi nga 16 janari deri më 1 shkurt, njoftoi ditën e sotme ministria bjelloruse e Mbrojtjes.
“Gjatë stërvitjes taktike të fluturimit, do të përfshihen të gjitha fushat ajrore dhe terrenet stërvitore të Forcave Ajrore të Bjellorusisë” – thuhej në njoftim.
Ministria tha të enjten se po vazhdon të rrisë grupimin e saj të përbashkët ushtarak me Rusinë në Bjellorusi: “Personeli, armët, pajisjet ushtarake dhe speciale të forcave të armatosura të Federatës Ruse do të vazhdojnë të mbërrijnë në Republikën e Bjellorusisë”
Disa forca ruse të vendosura në Bjellorusi përdorën territorin e saj në pushtimin e Ukrainës në shkurt. Por presidenti Aleksandër Lukashenko ka bërë disa përpjekje për të siguruar që trupat e Bjellorusisë të mos përfshihen në të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” të Rusisë.